
Dy vatra zjarri janë aktivizuar pasditen e sotme në Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa shërbimet zjarrfikëse kanë ndërhyrë për të vënë nën kontroll flakët.
Në Vlorë, zjarri është shfaqur në zonën mbi Spitalin Rajonal. Flakët po favorizohen nga era e fortë dhe, sipas të dhënave paraprake, dyshohet se kanë prekur edhe disa banesa.
Në vendngjarje kanë mbërritur tre automjete zjarrfikëse me rreth 20 punonjës, të cilët po punojnë për izolimin e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij drejt zonave të banuara.
Situata është vështirësuar nga era, e cila favorizon përparimin e flakëve dhe rindezjen e vatrave.
Ndërkohë, një tjetër zjarr është konstatuar në dalje të liqenit të Viroit në Gjirokastër.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet zjarrfikëse kanë mbërritur në zonë dhe kanë ndërhyrë për izolimin e flakëve.
Sipas informacioneve të fundit, zjarri në Gjirokastër është izoluar plotësisht. Një automjet zjarrfikës do të qëndrojë në monitorim për të parandaluar riaktivizimin e zjarrit dhe për të shuar trungjet apo vatrat e mbetura aktive.
Nga zjarri është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me bar dhe shkurre. Ndërhyrja në terren vijon për të shmangur përhapjen e flakëve në zonat përreth./Versus.al

