Protestat në Kosovë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të intensifikohen në ditët në vijim.
Prej rreth një jave, në qytete të ndryshme të Kosovës janë zhvilluar protesta kundër vendimit të Gjykatës Speciale, të cilin organizatorët dhe një pjesë e protestuesve e konsiderojnë të padrejtë.
Iniciativa qytetare “Liria ka emër” ka paralajmëruar organizimin e një marshi gjithëpopullor më 1 tetor në Prishtinë, ndërsa më 10 tetor një tubim i ngjashëm do të mbahet në Bruksel, në bashkëpunim me mërgatën shqiptare.
Sipas organizatorëve, data e 1 tetorit lidhet me protestat studentore të vitit 1997.
“Atëherë kërkuam liri, jetë më të mirë për popullin e Kosovës. Më tetor tani kërkojmë liri për çlirimtarët tanë. Ne do dalim bashkë, paqësisht me një mesazh të përbashkët, ‘Jo në emrin tim’. Më 10 tetor kjo thirrje do të vazhdojë tutje në Bruksel së bashku me mërgatën tonë”, tha Eliza Hoxha nga iniciativa “Liria ka emër”.
Krahas protestave, iniciativa ka nisur edhe një peticion qytetar, me synimin që nënshkrimet të dërgohen simbolikisht në Bruksel, Strasburg dhe Hagë.
“Nënshkrimet do t’i dërgojmë simbolikisht në Bruksel, Strasburg dhe në Hagë si shprehje e qëndrimit të qytetarëve të Kosovës që zgjedhin të bashkohen karshi historisë së përbashkët”, thuhet nga organizatorët.
Përfaqësuesi i “Liria ka emër”, Ismail Tasholli, ka bërë thirrje për unitet dhe për një reagim më të qartë institucional ndaj vendimit të Gjykatës Speciale.
“Qeveria duhet të na tregojë qartë cili është plani, cila është strategjia shtetërore, çfarë mbështetjeje juridike dhe financiare ofrohet, çka do të bëjë diplomacia e Kosovës, si duhet të angazhohen institucionet akademike dhe ekspertët ndërkombëtarë”, u shpreh Tasholli.
Ndërkohë, protestat do të vijojnë edhe nga veteranët e luftës. Më 25 shtator, degët e Organizatës së Veteranëve të Luftës në qytetet e Kosovës do të zhvillojnë protesta në orën 17:00. Në Prishtinë, veteranët do t’i bashkohen protestës së planifikuar për në orën 21:00.
Në planin institucional, deri tani nuk ka pasur një reagim të përbashkët lidhur me organizimin e protestave dhe pasojat politike të aktgjykimit. Partia Demokratike e Kosovës ka iniciuar në Kuvend një projektligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa ende nuk është caktuar seanca për shqyrtimin e tij.
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët u dënuan për krime lufte dhe vepra të tjera të përcaktuara në aktgjykim.
Vendimi ka nxitur reagime dhe protesta në Kosovë dhe në diasporë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar mobilizim të mëtejshëm gjatë javëve të ardhshme.


