
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kundërshtuar bojkotin e Parlamentit, duke deklaruar se një vendim i tillë do t’i shërbente kryeministrit Edi Rama.
Gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, Berisha foli për aksionin opozitar dhe qëndrimin që duhet të mbajë opozita përballë mazhorancës. Sipas tij, pavarësisht kushteve të vështira në Parlament, opozita duhet të vijojë përballjen politike dhe t’i japë përgjigje qeverisë edhe përmes aktivitetit parlamentar.
Berisha u shpreh se PD-ja duhet të intensifikojë përpjekjet për largimin e Edi Ramës dhe ndryshimin e qeverisjes.
“Por sot më shumë se kurrë, lipset që PD, forcë kryesore politike opozitare, të ndërmarrë të gjithë përpjekjet e saj për largimin e Edi Ramës dhe regjimit të tij, për përmbysjen e këtij regjimi. Koha fton sot çdo demokrate e demokrat, të gjithë mbështetësit tanë, të ngrihen në këmbë dhe me të gjitha mjetet demokratike të përballen me këtë regjim”, deklaroi Berisha.
Ai theksoi se bojkoti i Parlamentit do të ishte një zgjedhje që, sipas tij, do të favorizonte mazhorancën.
Në fjalën e tij, kreu i PD-së u ndal edhe te protestat qytetare, duke e cilësuar mbështetjen e tyre si një detyrë të rëndësishme për Partinë Demokratike.
“Ndaj dhe njëherë, mbështetja e kësaj proteste është detyrë madhore e PD. Anëtarët, mbështetësit e saj, me qindra dhe mijëra, janë pjesëmarrës në këtë protestë”, tha ai.
Berisha u bëri thirrje drejtuesve, anëtarëve dhe mbështetësve të PD-së që t’i bashkohen protestës që zhvillohet çdo ditë.
“Të shkojmë tek qytetarët. Të shkojmë tek anëtarët tanë. Të shkojmë tek mbështetësit tanë. Dhe ju të gjithë pa përjashtim, përveçse dy-tre veta që mund të bëhen problem për simbolikën qytetare, të gjithë të tjerët së bashku me zgjedhësit tuaj, mbështetësit tuaj, anëtarët tuaj, duhet të jeni në atë protestë”, u shpreh Berisha.

