
Shpëtim Aliu, një prej personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, është arrestuar në Rusi. Aliu, i njohur edhe me aliasin “Salvatore”, është konsideruar nga SPAK si një prej figurave kryesore të një rrjeti të fuqishëm të trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Sipas hetimeve të SPAK, Aliu dyshohet se kishte një rol drejtues në organizimin e trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. Në dosje, ai përshkruhet si personi që siguronte lëndën narkotike nga Ekuadori, ndërsa grupet kriminale të lidhura me Dritan Gjikën, grupin e Çopjave dhe persona të tjerë dyshohet se vepronin në varësi të këtij rrjeti.
SPAK lëshoi në muajin qershor urdhër-arreste për 10 persona, mes tyre edhe Shpëtim Aliun. Ai akuzohet për veprat penale “trafikimi i narkotikëve” dhe “pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal”.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë dokumentuar veprimtarinë e grupit gjatë viteve 2019–2021 në Amerikën Latine, Brazil, Belgjikë dhe Holandë. Sipas SPAK, grupi dyshohet se ka trafikuar të paktën 50 tonë kokainë.
Në kuadër të hetimit janë dokumentuar pesë episode të trafikut të kokainës, ku autoritetet kanë sekuestruar në total 8 tonë e 960 kilogramë lëndë narkotike.
Në episodin e parë, më 11 maj 2020, 700 kilogramë kokainë u sekuestruan në portin e Waasland në Antverp të Belgjikës. Sasia ishte fshehur në një kontejner me pjesë këmbimi automjetesh, i cili kishte ardhur nga Kina.
Më 6 qershor 2020, në Guayaquil të Ekuadorit u sekuestruan 2 tonë e 10 kilogramë kokainë, e cila dyshohej se kishte destinacion final Holandën. Sipas hetimeve, lënda narkotike mbante tre logo të ndryshme: “Jaguar”, “Shqiponjë” dhe “BB”.
Më 16 gusht 2020, në Roterdam të Holandës u sekuestruan 1.1 ton kokainë, e cila kishte mbërritur me anije nga porti i Guayaquil në Ekuador.
Në episodin e katërt, më 16 dhjetor 2020, autoritetet holandeze sekuestruan 4.1 tonë kokainë në portin e Roterdamit. Edhe kjo ngarkesë kishte ardhur nga porti i Guayaquil.
Episodi i pestë lidhet me datën 3 shkurt 2021, kur në Kolumbi u sekuestruan 1 ton e 50 kilogramë kokainë, e cila kishte si destinacion final Francën.
SPAK thotë se, përveç pesë episodeve të dokumentuara, anëtarët e grupit dyshohet se kanë trafikuar edhe dhjetëra tonelata të tjera kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve europiane, duke siguruar të ardhura të konsiderueshme.
Pastrimi i parave, 491 pasuri nën sekuestro
Hetimet kanë nxjerrë në pah edhe një skemë të dyshuar të pastrimit të parave. Sipas SPAK, një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave nga trafiku i kokainës është futur në Shqipëri në formën “cash”, për të shmangur fillimisht sistemin bankar.
Më pas, paratë dyshohet se janë investuar në pasuri të paluajtshme, kompani dhe aktivitete në sektorë të ndryshëm, përfshirë ndërtimin, hotelerinë dhe konsulencën.
Sipas hetimeve, fondet janë qarkulluar edhe përmes huave mes personave fizikë dhe kompanive të lidhura, ndërsa dyshohet se janë përdorur blerje fiktive të kuotave të kapitalit dhe transaksione të tjera për të fshehur origjinën e parave.
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka vendosur më 15 qershor 2026 masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për 491 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, në pronësi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të personave nën hetim.
Në mesin e pasurive të sekuestruara janë prona dhe kuota kompanish në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier, Hamallaj, Lezhë, Shkodër, Himarë dhe Sarandë.
Sipas SPAK, bëhet fjalë për 266 pasuri të paluajtshme, përfshirë toka, truall, hotele, apartamente dhe vende parkimi. Në listë përfshihen edhe 121 pasuri në kompleksin “Porto Lalzi/Lalzi Marina Seaside” në Hamallaj, struktura hotelerie në Dhërmi, prona në Qerret, Hotel “Elisa Tirana”, vila në komplekse rezidenciale në Tiranë dhe Durrës, si dhe apartamente, njësi tregtare dhe parkime në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Gjithashtu janë sekuestruar automjete të ndryshme, mjete teknologjike për ndërtim, mjete transporti, autovetura dhe mjete lundruese, si dhe 209 llogari bankare që u përkasin personave fizikë e juridikë dhe personave të lidhur me ta.
Vlera totale e pasurive të sekuestruara dyshohet të jetë rreth 150 milionë euro, ndërsa SPAK ka bërë të ditur se gjatë hetimeve do të verifikohet vlera e saktë e tyre.
Pas arrestimit të Shpëtim Aliut në Rusi, pritet të ndiqen procedurat ligjore për vijimin e çështjes dhe ekstradimin e tij drejt Shqipërisë./Versus.al


