Tom Cruise ka ngritur zërin për rëndësinë e elementit njerëzor në kinematografi, duke folur për ndikimin që inteligjenca artificiale mund të ketë në të ardhmen e industrisë së filmit.
Aktori amerikan u shpreh për këtë çështje gjatë aktivitetit “Life in Pictures” të BAFTA-s, ku iu përgjigj pyetjeve të Edith Bowman rreth teknologjisë, ndryshimeve në mënyrën e konsumimit të filmave dhe së ardhmes së kinemasë.
Gjatë fjalës së tij, e cila zgjati rreth gjashtë minuta dhe u prit me duartrokitje të gjata, ylli i “Top Gun” dhe “Mission: Impossible” vuri theksin te përvoja njerëzore që qëndron në themel të artit kinematografik.
“Nuk ka asgjë të ngjashme me qenien njerëzore”, tha Cruise, duke argumentuar se interesi i publikut, veçanërisht i të rinjve, për kinemanë dëshmon dëshirën për përvoja autentike dhe njerëzore.
Aktori foli gjithashtu për kontributin e profesionistëve dhe artizanëve që punojnë pas kamerave dhe që i kushtojnë karrierën e tyre realizimit të filmave.
“Njerëzit duan të shohin gjëra të vërteta”, u shpreh ai, ndërsa nënvizoi edhe rëndësinë e vëmendjes njerëzore ndaj artit. “Ajo që i kushton vëmendje, i jep jetë”, tha Cruise.
Qëndrimi i Cruise ndaj inteligjencës artificiale nuk është i ri. Aktori e kishte ngritur më herët këtë çështje edhe gjatë negociatave të SAG-AFTRA në vitin 2023, ku u diskutua nevoja për mbrojtjen e aktorëve nga përdorimi i teknologjive të IA-së.
Gjatë aktivitetit të BAFTA-s, Cruise foli edhe për projektin e tij të ardhshëm kinematografik, “Digger”, i cili pritet të shfaqet në kinema më 2 tetor.
Aktori tregoi se kishte arritur të bindte regjisorin Alejandro González Iñárritu të lexonte skenarin për dy net radhazi, përpara se ai të pranonte të merrte përsipër realizimin e filmit.
Cruise e përshkroi “Digger” si një prej projekteve “më origjinale dhe më prekëse” në të cilat ka punuar.
Në film, Cruise interpreton Digger Rockwell, një magnat të industrisë së naftës, i cili përballet me pasojat e një katastrofe mjedisore të shkaktuar prej tij dhe përpiqet të korrigjojë situatën.


