Një vajzë kineze vetëm gjashtë vjeç ka vendosur dy herë brenda pak ditësh rekordin botëror për femra në mesataren e zgjidhjes së Kubit të Rubikut 3×3.
Bëhet fjalë për Lian Yunzhi (连允之), nga Chengdu, e njohur me nofkën “Zhizhi”, e cila ka tërhequr vëmendjen me shpejtësinë e jashtëzakonshme në zgjidhjen e kubit.
Më 12 shtator, gjatë një gare të certifikuar nga World Cube Association (WCA) në Wuhan, 6-vjeçarja përfundoi pesë zgjidhje të Kubit të Rubikut me një mesatare prej 4,52 sekondash. Ky rezultat i dha asaj rekordin e ri botëror për femra.
Por rekordi nuk zgjati shumë. Vetëm dy ditë më vonë, më 14 shtator, në një tjetër garë të WCA-së, këtë herë në Guangzhou, Lian Yunzhi e përmirësoi sërish rezultatin e saj, duke e ulur mesataren në vetëm 4,27 sekonda.
Sipas CCTV News, me këtë rezultat ajo është bërë atletja e parë femër që zbret nën kufirin e 4,5 sekondave në mesataren e zgjidhjes së Kubit të Rubikut 3×3.
Pas këtij suksesi qëndron një rutinë intensive stërvitjeje. Nëna e vajzës i tha Red Star News se Lian stërvitet me Kubin e Rubikut rreth dy deri në tre orë çdo ditë.
Ajo ka memorizuar tashmë më shumë se 1,300 sekuenca lëvizjesh, një nga faktorët që i ka ndihmuar të arrijë një shpejtësi të tillë në zgjidhjen e kubit.
Rekordi i dyfishtë brenda vetëm pak ditësh e ka kthyer 6-vjeçaren nga Chengdu në një nga emrat më të spikatur të skenës së speedcubing-ut, duke dëshmuar se mosha nuk është domosdoshmërisht pengesë për arritje të jashtëzakonshme në këtë disiplinë.


