Në Ksamil janë sekuestruar një objekt 5-katësh dhe një objekt 1-katësh, të ndërtuara pa leje dhe të përdorura për qëllime fitimi në fushën e shërbimeve hoteliere. Në kuadër të hetimeve për ndërtim të paligjshëm, Gjykata e Sarandës ka caktuar edhe masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për pronarin e objekteve.
Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë dhe Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara, ka kryer procedurat për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës së Sarandës, në vijim të hetimeve për rastin e ndërtimit pa leje në Ksamil.

Sipas vendimit të gjykatës, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” ndaj shtetasit K. P., për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Gjykata ka vendosur gjithashtu sekuestrimin e një objekti 5-katësh dhe një objekti 1-katësh, të ndodhur në lagjen nr. 2, në rrugën “Derolli”, në Ksamil. Sipas autoriteteve, objektet janë ndërtuar pa leje dhe janë përdorur për shërbime hotelierie, me qëllim përfitimin ekonomik.
Gjatë procedurave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës, autoritetet kanë konstatuar se hoteli ishte në funksion dhe se në të ishin akomoduar pushues.
Për këtë arsye, janë marrë masa paraprake dhe, sipas njoftimit të Policisë, më datë 6 tetor 2026 do të kryhen të gjitha veprimet e nevojshme për ekzekutimin e plotë të vendimit të Gjykatës.


