Mbi 500 mesazhe dhe komunikime mes kryetares së SHISH dhe Gys Agasit nga data 28 qershor 2016 deri në 26 gusht 2026 janë prova kryesore e SPAK-ut për akuzat e ngritura nga kryeagjentes përkrahje e autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror. Nga komunikimet e rikuperuara nga SPAK në një telefon të sekustruar, rezulton se Vlora Hyseni qante hallet dhe raportonte te Agasi edhe për takimet sekrete me shefat e shërbimeve informative partnere, por diskutonte edhe për zhvillimet politike dhe për emërimet që kishte ndërmend Rama të bënte.
Më 18 shtator Vlora Hyseni është marrë nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit për tu marrë në pyetje si person në dijeni, teksa kërkesa e SPAK për arrestimin e saj kishte rreth 5 ditë që priste vendimin e Gjykatës së Posaçme.
Mësohet se Hyseni ka pranuar kontaktet me Ergys Agasin gjatë kohës që ky i fundit ndodhej në arrati, por mohon se e ka takuar fizikisht, por ndryshe dyshon organi hetues. Hyseni ka pretenduar se me Agasin ka patur kontakte në cilësinë e bashkëpunëtorit njësoj siç pretendon ajo, ka me shumë persona të tjerë në cilësinë e kryeagjentes së SHISH.
Por SPAK nga ana tjetër pretendon se marrëdhënia mes tyre ka qenë më shumë se profesionale. Në automjetin e sekuestruar të Ergys Agasit në “Equos Resort”, janë gjetur disa materiale të cilat dyshohet se ishin të Shërbimit Informativ të Shtetit.
“Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi tek halli jot”, “Të gjithë ne” dhe “Do përfundojmë keq, shpirt.”, mësohet të jetë një nga fragemtentet e shkëputura nga dosja hetimore.
Gjithashtu, kryetarja e SHISH i raportonte Agasit edhe për takimet që bënte me krerët e institucione shqiptare për çëshjte të sigurisë kombëtare dhe çështje të tjera. Gjithashtu, Vlora Hyesni e informonte Agasin edhe për takimet me kryeministrin Edi Rama. Nga komunikimet kuptohet se shefja e institucionit të sekreteve të Shqipërisë dekonspironte edhe Ramën tek Agasi. Po ashtu, Hyseni i jepte Agasit dosjet sekrete të SHISH. Nuk ka ende të dhëna për përmbajtjen e tyre, por besohet se mund të jenë informacione të mbledhura nga SHISH për trafiqet, gjurmimin e figurave të krimit dhe veprimtari të tjera që janë pjesë e fushës së veprimit të SHISH.
Sipas të njëjtave burime, SPAK disponon edhe pamje filmike të takimeve dhe mes tyre që rrëzojnë pretendimin e Hysenit se me Agasin ka patur vetëm biseda telefonike në cilësinë e bashkëpunëtorit. Ndërkohë mësohet se një pjesë të kohës që ishte në kërkim për dosjen e AKSHI-t, ka qëndruar pranë vilave qeveritare në Durrës, ku dyshohet se është ndihmuar nga Hyseni për t’iu shmangur arrestimit, por pavarësisht zërave nëse ka vënë në dispozicion mjete dhe pajisje të SHISH, për diçka të tillë, kjo nuk u arrit të konfirmohej nga interesimi për çështjen.
Menaxheri i “Kodrës së Kuajve”, i çonte ushqim dhe sende të tjera të mevojshme Agasit sipas SPAK, pavarësisht se ishte në dijeni të pozitës ligjore duke përkrahur kështu një person në kërkim.