
Familjet e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, kanë reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke bërë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar.
Në një letër të bërë publike nga Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, familjet kanë falënderuar qytetarët e Kosovës për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar gjatë gjithë procesit gjyqësor.
Familjarët u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të tregojnë përgjegjësi dhe të respektojnë Kushtetutën dhe ligjin në raport me Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në letrën e tyre, familjet kanë vlerësuar edhe ftesën e Albulena Haxhiut për zhvillimin e një takimi. Megjithatë, ata kanë bërë të ditur se preferojnë që ky takim të zhvillohet pas vendimit të Kuvendit të Kosovës.
Sipas familjeve, kjo qasje do të shmangte çdo keqkuptim të mundshëm lidhur me ndikimin e tyre në vendimmarrjen institucionale.
Në reagim, familjet kanë theksuar rëndësinë e përgjegjësisë së institucioneve dhe të unitetit qytetar në këtë periudhë pas vendimit të Hagës.
Letra
Ne, familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, bëjmë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar në këto momente. Shprehim mirënjohjen tonë të thellë për popullin e Kosovës për mbështetjen, solidaritetin dhe qëndrimin e tij të vazhdueshëm ndaj procesit gjyqësor në Hagë. Presim sjellje të përgjegjshme shtetërore nga të zgjedhurit e popullit, në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjit, në raport me Dhomat e Specializuara. E vlerësojmë ftesën e Albulena Haxhiut, por, për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm lidhur me ndikimin dhe ndërhyrjet familjare në vendimmarrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, presim që të takohemi pas vendimit të Kuvendit./Versus.al

