• Kontakt
Wednesday, September 23, 2026
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Botërori 2026
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Botërori 2026
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Kamasutra Politike Shqiptare

Në politikën shqiptare nuk ka pozicion të pamundur. Mes pushtetit, parasë, biznesit, korrupsionit dhe drejtësisë, partnerët dhe pozicionet ndryshojnë vazhdimisht. Vetëm njëri mbetet gjithmonë në të njëjtin vend: qytetari. Poshtë.

17:56 : 23/09/2026
në AKTUALITET, KRONIKE, KRYESORE, POLITIKE

Në politikën shqiptare nuk ka pozicion të pamundur.

Mund të jesh kundër korrupsionit dhe të qeverisësh me njerëz nën akuzë për korrupsion. Mund të betohesh për transparencë dhe të marrësh vendimet më të rëndësishme pas dyerve të mbyllura. Mund të luftosh pastrimin e parave dhe njëkohësisht të drejtosh një ekonomi ku kullat, resortet, vilat dhe apartamentet ngrihen më shpejt sesa pyetjet për origjinën e parave që i financojnë.

Mund të jesh me SPAK-un të hënën dhe kundër tij të martën.

Mund të kërkosh burg për kundërshtarin dhe standarde europiane kur radha vjen te njeriu yt.

Lexo edhe:

Kuvendi injoron konsultimet publike, fut në shqyrtim Reformën Territoriale

Përplasje për Reformën Territoriale te “Ligjet”, opozita braktis sallën pas debatit për draftin e PS

Mund të jesh socialist me oligarkun, demokrat me oligarkun, patriot me investitorin e huaj dhe ambientalist pasi fadroma ka mbërritur te prona jote.

Gjithçka varet nga pozicioni.

Mirë se vini në Kamasutrën Politike Shqiptare.

Një manual i pashkruar ku politika, biznesi, paraja, administrata, ndërtimi dhe interesat private kanë mësuar prej kohësh se si të ndërrojnë pozicion pa ndryshuar qëllimin.

Dhe qëllimi është pothuajse gjithmonë i njëjtë: pushteti, paraja dhe mbijetesa.

Pozicioni nr. 1

Dora në buxhet, gishti te kundërshtari

Në Shqipëri të gjithë luftojnë korrupsionin.

Qeveria lufton korrupsionin. Opozita lufton korrupsionin. Institucionet luftojnë korrupsionin. Politikanët flasin për korrupsionin në mëngjes, në drekë dhe në darkë. Vetëm korrupsioni duket se nuk merr vesh që po luftohet. Sepse në politikën shqiptare korrupsioni ka një karakteristikë të çuditshme: është pothuajse gjithmonë korrupsioni i tjetrit.

Kur hetohet kundërshtari, drejtësia po funksionon. Kur hetohet aleati, drejtësia duhet të tregohet e kujdesshme. Kur troket në derën e kundërshtarit, SPAK është shpresa e Shqipërisë. Kur troket në derën tënde, fillojnë pyetjet për proporcionalitetin, procedurën, kompetencën, standardet europiane dhe, në raste më të rënda, komplotin ndërkombëtar. Kështu, politikani shqiptar mund të jetë njëkohësisht mbështetës dhe viktimë e reformës në drejtësi. Mjafton të ndryshojë pozicion.

Pozicioni nr. 2

Politikani sipër, biznesmeni poshtë

Ky është një nga pozicionet klasike.

Politika ka pushtetin për të dhënë leje, tenderë, koncesione, status investitori, të drejta zhvillimi, licenca dhe akses në pasuri publike. Biznesi ka kapitalin. Në teori, raporti është i thjeshtë: shteti vendos rregullat dhe biznesi i zbaton. Në praktikën shqiptare, pyetja është më interesante: Kush vendos për kë?

Sepse biznesmeni që dje priste një firmë në korridorin e një ministrie, nesër mund të jetë aq i fuqishëm sa ministri të presë telefonatën e tij.

Politikani ka nevojë për kapital. Kapitali ka nevojë për vendimmarrje. Njëri ka firmën. Tjetri ka paranë. Dhe kështu fillon vallëzimi.

Pozicioni nr. 3

Kulla

Nëse do të kërkonim monumentin e Kamasutrës ekonomike shqiptare, ndoshta nuk do ta gjenim në ndonjë muze.

Do të mjaftonte të ngrinim kokën në Tiranë. Kullat janë simboli më spektakolar i transformimit të kryeqytetit. Por bashkë me betonin ngrihen edhe pyetjet. Kush po ndërton? Kush zotëron kompanitë? Kush zotëron tokën? Sa kushtoi ajo? Nga erdhën paratë? Kush bleu apartamentet? Sa prej tyre janë shitur? Sa janë bosh?

Dhe mbi të gjitha: A mund ta prodhojë ekonomia reale shqiptare gjithë këtë beton?

Këto pyetje nuk provojnë krim. Por një qytet që ndryshon siluetën me këtë shpejtësi duhet të jetë në gjendje të shpjegojë edhe ekonominë që e financon atë. Sepse betoni nuk rritet në pemë. Dhe kullat nuk ndërtohen me ajër.

Pozicioni nr. 4

Nga kulla në resort

Kur Tirana fillon të bëhet e vogël, kapitali zbret drejt detit. Palasë. Dhërmi. Vlorë. Zvërnec. Nartë.

Bregdeti shqiptar është kthyer në një nga territoret më të lakmuara të vendit.

Por aty ku toka vlen miliona, historia e pronësisë bëhet po aq e rëndësishme sa projekti që do të ndërtohet mbi të.

Në Zvërnec, investigimet dhe hetimet kanë ngritur pikërisht pyetje të tilla: për origjinën e pronave, transaksionet, kompanitë, kapitalin dhe njerëzit që qëndrojnë pas tyre.

Në historinë që ka ndjekur edhe SHTEG.ORG, zinxhirët e kompanive kalojnë nga Tirana në Amsterdam e deri në Doha.

Në njërën anë qëndrojnë investime të mëdha dhe premtime për zhvillim. Në tjetrën, banorë, dokumente pronësie, pretendime për falsifikime, hetime dhe miliona euro. Mes tyre qëndron toka. Toka shqiptare. Ajo nuk flet.

Por dokumentet e saj ndonjëherë tregojnë histori shumë më interesante se politikanët.

Pozicioni nr. 5

Vila

Politika shqiptare ka një marrëdhënie të veçantë me vilën. Vila mund të jetë shtëpi. Mund të jetë investim. Mund të jetë dhuratë. Mund të jetë pronë e një familjari. Mund të jetë e një kompanie. Mund të jetë e dikujt që rastësisht njeh dikë që njeh dikë tjetër. Dhe ndonjëherë mund të bëhet edhe provë në një dosje hetimore.

Prandaj, kur drejtësia fillon të ndjekë paranë, shpesh përfundon te prona. Apartamenti. Vila. Toka. Kompania. Llogaria bankare. Sepse paratë kanë një problem të madh: duan të shpenzohen. Dhe kur shpenzohen, lënë gjurmë.

Pozicioni nr. 6

Tenderi

Tenderi është ndoshta pozicioni më tradicional i Kamasutrës Politike Shqiptare.

Formula duket teknike. Fond limit. Kriteret. Oferta. Komisioni. Fituesi. Kontrata. Punimet.

Por pas tabelave Excel dhe dokumenteve të prokurimit qëndron pyetja më e vjetër e politikës: Kush merr çfarë?

Në një shtet normal, tenderi është mekanizëm për të blerë me paratë publike shërbimin më të mirë me kushtet më të mira.

Në një shtet të kapur nga interesat, tenderi mund të bëhet mekanizëm për ta kthyer paranë publike në pasuri private. Dhe aty fillon pozicioni: administrata përgatit. Komisioni vlerëson. Politika mbikëqyr. Kompania fiton. Qytetari paguan.

Pozicioni nr. 7

OJQ-ja, kompania, familja

Paraja moderne nuk ecën gjithmonë me valixhe.

Kjo do të ishte tepër primitive. Ajo mund të udhëtojë përmes kompanive. Kontratave. Konsulencave. Fondacioneve. Organizatave. Faturave. Pasurive të paluajtshme. Personave të lidhur.

Dhe pikërisht për këtë arsye dosjet moderne të korrupsionit janë shumë më pak romantike sesa filmat. Nuk ka gjithmonë një zarf mbi tavolinë. Ka një Excel. Një transfertë. Një faturë. Një kontratë. Një pronar përfitues. Një kompani tjetër pas kompanisë së parë.

Dhe ndonjëherë, pas shumë dokumentesh, del një emër që politikisht ishte aty që në fillim.

Pozicioni nr. 8

Inceneratori

Pastaj vjen pozicioni që shqiptarët tashmë e njohin aq mirë sa pothuajse nuk ka nevojë për ilustrim.

Inceneratori. Një fjalë teknike që u shndërrua në fjalë politike. Koncesione. Kompani. Para publike. Administratorë. Zyrtarë. Fatura. Persona në kërkim. Hetim. Akuza. Procese gjyqësore.

Inceneratorët na mësuan diçka të rëndësishme: paraja publike mund të bëjë një udhëtim jashtëzakonisht të gjatë përpara se qytetari të kuptojë destinacionin e saj.

Por na mësuan edhe diçka tjetër. Skandalet kalojnë. Titujt ndryshojnë. Personazhet ndërrohen. Mekanizmi mbetet.

Pozicioni nr. 9

69

Ky është ndoshta pozicioni që e përshkruan më mirë marrëdhënien mes politikës dhe biznesit.

Politika ushqen biznesin. Biznesi ushqen politikën. Politika ofron vendimmarrje, akses, leje, tenderë, koncesione dhe rregulla. Biznesi ofron kapital, ndikim, lidhje dhe fuqi ekonomike. Njëri ka nevojë për tjetrin. Dhe pas njëfarë kohe bëhet e vështirë të kuptosh se cili është sipër dhe cili poshtë. Por ndoshta kjo nuk ka më rëndësi. Sepse sistemi funksionon pikërisht kur të dy janë të kënaqur.

Ka vetëm një person që nuk merr pjesë në kënaqësi. Ai që paguan faturën. Qytetari.

Pozicioni nr. 10

Syri që shikon gjithçka

Dhe pastaj historia bëhet më serioze.

Sepse politika shqiptare nuk ka më të bëjë vetëm me tenderët, betonin apo vilat. Ka të bëjë edhe me informacionin. Databazat. Sistemet shtetërore. Komunikimet. Sekretet. AKSHI. SHISH.

Kur hetimet për korrupsionin prekin njerëz dhe struktura që administrojnë informacionin më sensitiv të shtetit, problemi nuk është më vetëm se sa para janë vjedhur apo kush ka fituar një tender.

Pyetja bëhet: Kush di çfarë për kë? Dhe më e frikshmja: Kush mund ta përdorë atë informacion?

Në këtë nivel, paraja dhe pushteti takohen me informacionin. Dhe informacioni është një monedhë shumë më e fuqishme se euroja.

Pozicioni nr. 11

Armiku im, miku im

Ka edhe një pozicion që vetëm politika shqiptare e realizon me elasticitet olimpik.

Sot të quaj kriminel. Nesër votoj me ty. Sot të akuzoj për vjedhje. Nesër negocioj reformën me ty. Sot je oligarku i qeverisë. Nesër mund të jesh biznesmeni që takohet me opozitën. Sot televizioni yt është kazan. Nesër studioja e tij është vendi ideal për intervistën time. Nuk ekzistojnë armiq të përhershëm. Ekzistojnë interesa që ndryshojnë.

Prandaj memoria është armiku më i madh i politikës shqiptare. Sepse interneti ka një zakon të keq. Nuk harron.

Pozicioni nr. 12

Europa

Pastaj vjen pozicioni më elegant.

Europa.

Çdo gjë bëhet në emër të saj. Reforma bëhet për Europën. Ligji bëhet për Europën. Drejtësia reformohet për Europën. Administrata modernizohet për Europën. Tenderët digjitalizohen për Europën. Strategjitë hartohen për Europën. Dhe ndërkohë Europa përdoret edhe si certifikatë politike. Nëse Brukseli hesht, heshtja interpretohet si mbështetje. Nëse kritikon, kritika relativizohet. Nëse hapen negociatat, qeveria fiton. Nëse kërkohen reforma, përgjegjësinë e ka administrata.

Kështu mund të jesh europian në konferencë për shtyp dhe ballkanik sapo mbyllet mikrofoni. Edhe ky është pozicion.

Pozicioni nr. 13

Drejtësia

Por Kamasutra Politike Shqiptare ka një problem të ri.

Drejtësia ka filluar të lëvizë.

SPAK dhe GJKKO kanë futur në fjalorin e përditshëm të shqiptarëve ministra, kryetarë bashkish, ish-ministra, deputetë, biznesmenë, drejtorë dhe zyrtarë të lartë.

Jo të gjithë janë fajtorë. Hetimi nuk është dënim. Akuza nuk është vendim gjykate. Dhe pikërisht këtu duhet të ndahet gazetaria nga propaganda.

Por diçka ka ndryshuar. Njerëz që dikur dukeshin të paprekshëm sot duhet t’u përgjigjen prokurorëve. Dosjet hapen. Pasuritë kontrollohen. Telefonat analizohen. Kompanitë lidhen me njëra-tjetrën. Paratë ndiqen.

Dhe për herë të parë pas shumë vitesh, një pjesë e politikës shqiptare duket se po zbulon një pozicion krejtësisht të ri: pozicionin e të hetuarit.

Pozicioni i fundit

Qytetari

Dhe këtu mbaron humori.

Sepse ndërsa politika ndërron pozicione, qytetari shqiptar ka dekada që qëndron pothuajse në të njëjtin vend.

Ai paguan taksat. Paguan koncesionet. Paguan rrugët. Paguan energjinë. Paguan administratën. Paguan borxhin publik. Paguan apartamentin me çmime që gjithnjë e më shumë duken të shkëputura nga paga e tij. Paguan edhe kur largohet nga vendi.

Ndërkohë sheh ministra që bëhen të pandehur, ish-ministra që kërkohen, kryebashkiakë që hetohen, biznesmenë që shfaqen në dosje, miliona euro që qarkullojnë, toka që ndryshojnë pronarë, kulla që ngrihen dhe resorte që pushtojnë bregdetin.

Dhe pyet: Nga dolën gjithë këto para?

Është ndoshta pyetja më e rëndësishme ekonomike dhe politike e Shqipërisë së sotme. Jo kush është sipër. Jo kush është poshtë. Jo kush ndërroi partner. Jo kush ndërroi parti. Por: Kush paguan? Kush fiton? Dhe ku shkojnë paratë?

Sepse problemi i Kamasutrës Politike Shqiptare nuk është se politika shqiptare ka mësuar shumë pozicione. As se i ndryshon ato me një elasticitet të jashtëzakonshëm.

Problemi është se, pavarësisht se sa herë ndërrohen politikanët, biznesmenët, partitë, drejtorët, ministrat dhe partnerët, një njeri përfundon pothuajse gjithmonë në të njëjtin pozicion.

Qytetari. Poshtë.

/ SHteg.org

Etiketa: korrupsionkrimpolitikepsqeveria Rama

Lajme të lidhura

AKTUALITET

Kuvendi injoron konsultimet publike, fut në shqyrtim Reformën Territoriale

16:37 : 23/09/2026
AKTUALITET

Përplasje për Reformën Territoriale te “Ligjet”, opozita braktis sallën pas debatit për draftin e PS

12:11 : 23/09/2026
AKTUALITET

Mblidhet Komiteti Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE, PD: Do të ngremë shqetësimet për korrupsionin

09:31 : 21/09/2026
AKTUALITET

“Ilaçi kundër korrupsionit”, pankartat e protestës së 113-të

19:37 : 20/09/2026
AKTUALITET

“E godita në zemër…”/ Vrau me thikë gruan, zbardhet dëshmia e Hysni Patushit

16:26 : 19/09/2026
AKTUALITET

Historia e ndarjes territoriale që nga pavarësia

14:57 : 19/09/2026
Para

Kush mungon në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe pse?

TË GJITHA

9 faqet e SHISH në makinën e Agasit, bashkëpunim apo nxjerrje informacioni? Ku nis përgjegjësia penale?

20:42 : 23/09/2026

Arrestohet në Rusi Shpëtim Aliu, një nga “bossët” e rrjetit të trafikut ndërkombëtar të kokainës

20:32 : 23/09/2026

Administrata Trump po përgatit planin për ndalimin 90-ditor të eksporteve të naftës

20:17 : 23/09/2026

Stresi dhe inflamacioni mund të dëmtojnë zemrën në heshtje

20:17 : 23/09/2026

Berisha përjashton bojkotin e Parlamentit: Do ishte në favor të Ramës

20:04 : 23/09/2026

Dosja e SHISH, Salianji: Shteti ka rënë në duart e bandave

19:55 : 23/09/2026

Haxhiu i ftoi në takim, familjarët e 4 ish-krerëve të UÇK-së refuzojnë: Pasi Kuvendi të marrë vendim për Hagën

19:47 : 23/09/2026



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2026 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Botërori 2026
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2026 Boldnews Dev By Techzero1.com