Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar këtë të martë se është gjetur prani e bakterit të “Listeri monocytogenes” në një produkt djathi brie të importuar nga Italia. Sipas njoftimit, alarmi ka ardhur nga shteti i Irlandës i cili ka njoftuar përmes sistemit europian RASFF dhe bëhet fjalë për produktin “FORM. BRIE VAL DE SAONE 1 KG P.F.”, me lotet 00000BPBY2 / 00000BQBZ2 dhe datë skadence 13 shtator 2026.

AKU bën të ditur se në Shqipëri janë importuar 120 kilogramë të këtij produkti më 14 korrik 2026 nga “INITALY RISTO & GUSTO SH.P.K”, me qendër veprimtarie në Elbasan. Gjatë kontrollit te subjekti nuk është gjetur më produkt në gjendje, ndërsa nga verifikimet ka rezultuar se ai ishte shpërndarë dhe shitur te konsumatorët. AKU konstatoi gjithashtu se subjekti importues nuk dispononte një sistem të plotë gjurmueshmërie dhe për këtë arsye ndaj tij është vendosur gjobë.

Pronare dhe administratore e subjektit të gjobitur nga AKU-ja është zonja Brunilda Isufi. Kompania e themeluar 11 vite më parë dhe .e kapital rreth 500 mijë euro ka si objekt veprimtarie import-eksport produkte ushqimore dhe donacione (bamirësi). Përmes kësaj kompanie bamirësja deklaron deri në 250 mijë euro fitime në vit.

Pas importit, shpërndarjes dhe tregtimit të produkteve ushqimore autentike italiane kryesisht për resortante në Shqipëri qëndron Mauro Borghi nga Modena e Italisë, i cili është bashkëshorti i zonjës Brunilda Isufit. Biznesmeni italian qëndron edhe pas një kompanie ndërtimi në Tiranë, përmes të cilës dyshohet se pastron para.