Raiffeisen Bank International, kompania mëmë e bankës Raiffeisen në Shqipëri, njoftoi të martën se një gjykatë rajonale në Vjenë ka dhënë një vendim në mungesë kundër kompanisë ruse Rasperia – e cila është subjekt i sanksioneve të Bashkimit Evropian – duke e urdhëruar atë të paguajë dëmshpërblim prej rreth 3,15 miliardë eurosh.
Banka deklaroi se Rasperia ka në dispozicion katër javë për të apeluar vendimin. Nëse nuk e bën këtë, vendimi do të bëhet i formës së prerë dhe RBI do t’i kërkojë rregullatorit austriak të tregut financiar të zhbllokojë asetet e Rasperia-s në Austri, në mënyrë që të mund të ekzekutojë kërkesën për dëmshpërblim.
Këto asete, të ngrira në kuadër të sanksioneve të Bashkimit Evropian, përfshijnë 28,5 milionë aksione në grupin austriak të ndërtimit Strabag, dividendët e akumuluar që nga viti 2021 dhe të ardhurat nga një reduktim kapitali i kryer në mars të vitit 2024.
“Ne kemi përgjegjësinë ndaj aksionarëve të Raiffeisen Bank International që të trajtojmë në mënyrë efektive dëmin e pësuar në Rusi. Vendimi i sotëm është një hap i rëndësishëm në këtë proces,” tha në një deklaratë Drejtori Ekzekutiv, Michael Hoellerer.
Kompania Rasperia nuk mund të kontaktohej menjëherë për një koment jashtë orarit të zakonshëm të punës.
Kërkesa e RBI-së buron nga një mosmarrëveshje lidhur me një marrëveshje të dështuar të vitit 2023, sipas së cilës njësia e saj ruse planifikonte të blinte pjesën e aksioneve të Rasperia-s në Strabag – një transaksion që më vonë u braktis për shkak të shqetësimeve lidhur me sanksionet.
Më pas, një gjykatë ruse urdhëroi degën ruse të RBI-së t’i paguante Rasperia-s 2 miliardë euro dëmshpërblim, gjë që e shtyu bankën austriake të kërkonte kompensim përmes aseteve të ngrira të Rasperia-s në Austri.
Raiffeisen kërkoi rreth 3,15 miliardë euro dëmshpërblim nga Rasperia, me argumentin se vendimi i gjykatës ruse i kishte shkaktuar asaj humbje të konsiderueshme.
Rasperia është një kompani ruse, pronësia e të cilës kontrollohet nga oligarku Oleg Deripaska, i sanksionuar në Perëndim për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me pushtetin e Vladimit Putinit./ Kapitali.al














