Nga Boldnews.al
Ai tashmë është një legjendë e gjallë, aty në Bradashesh, në një nga qelitë me më shumë ajër dhe e bojatisur me bejagi se zhgarravinat e tjera. Gysi e meriton që të trajtohet krejt ndryshe nga të burgosurit e tjerë. Është figura që pa dashjen e tij shfaqi në mexhlis “mbretin tonë” lakuriq, bashkë me oborrtarët.
Nëse futesh në faqen që njihet si ‘motor kërkimi’, në google dhe shkruan Ergys Agasi, informacinet që të shfaqen janë të pafundme. Me të drejtë ai duhet të krenohet për veten, por edhe të ruhet ca.
Gysi na tregoi sesi turpi dhe përdhosja e ligjit mu bash e në majën e pushtetit, jo vetëm nuk quhet e tillë, por me verën (Romanne Conti 33.600 euro), edhe “mbreti” e pranon për ta kapërdirë pa të keq, në kopshtin e gjelbër ku dëshimtarë janë peshqit e kuq të ardhur nga Japonia. Thonë se “mbreti ynë” ka shije. Dhe Gysi ia dinte jo vetëm shijen, por edhe formën dhe qasjen. Ndërmjetës i zgjuar që kapi fillin duke e kuptuar se nuk kishte ndarje mes krimit dhe pushtetit politik në qeverisje.
Ata ishin bashkë, por për sy e faqe, në letra duhet të quhetshin të ndarë. Por Gysi ishte aty si një enë komunikuese mes tyre. E bëri më së miri. Ndaj, faleminderit Gys! Si mjeshtër ai e kuptoi se gratë me poste të larta, që “mbreti lakuriq” i shfaqete si virgjëresha të “shenjta”, kishin dobësitë e tyre. Ai ishte gjithnjë aty për t’iu afruar çfarë i bente të lumtura.
Nëse kishin nevojë për “terapi metale”, Gysi shfaqej gati. Nëse ai u kërkonte një “nder”, ato kurrë dysh nuk ia bënë fjalën. Ku e donte një pronë, Kadastra ofrohej në duart e tij, kur i volitej një informacion fort i klasifikuar SHSH-i i hapte… jo vetëm derën. Kur dëshironte që AKSHI-n ta trajtonte si shoqni bardhaku dhe me bardhësinë në fundin e pjatës, zonja e sertë pa shtëpi e katandi, madje edhe pa patentë (sipas mbretit), vetëofrohej për të dhe shokun e tij Ermal pilotin…
Nëse ndonjë cun me norma, (tregtar korrekt që porosiste banane, por të ‘paudhët’ e Amerikës Latine i ngarkonin pluhur-hunde), kishte hall se “legenat” inspektorë doni t’i prishnin lokalin, Dyshja s’ja bënte fjalën dysh Gysit. Ndaj faleminderit Gys që drejtoreshat e mëdha, “virgjëreshat” e palodhura që sipas “mbretit lakuriq” nuk korruptoheshin, i zhveshe jo vetëm simbolikisht…!
Edhe veladoni i drejtësisë dhe uniforma e policisë bash në majën e tyre kishin çmim dhe Gysi ishte aty për ta ofruar, që më pas ata/ato t’i vetëofroheshin për informacion për të cilën ai kishte aq shumë nevojë. Në ato qindra orë video-përgjime të bëra nga vetë Gysi shfaqen zonja që të plasin “veladonin e drejtësisë” dhe burra të ashpër me uniforë plot yje deri drej dhe të laskarisur sot si mos më keq.
Kush nuk e ka shumë të qartë kush është Gysi, bëhet fjalë për atë djalin që u kap duke tërhequr disi zvarrë shapkat firmato dhe në dorë mbante orën që shkonte afër gysmë milioni euro. Faleminderit Gys! Na shfaqe mbretin lakuriq, bashkë me oborrtarët e tij.














