Ka hyrë në ditën e 116-të protesta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Qytetarët janë mbledhur sërish në Tiranë, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj qeverisë përmes pankartave dhe mesazheve drejtuar institucioneve shtetërore.
Këtë herë, një pjesë e pankartave janë përqendruar te zhvillimet e fundit në institucionet e sigurisë, veçanërisht te çështja që lidhet me drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni.
“Kur SHISH bën Pazar për llogari të vet, këtu nuk ka më ligj, këtu s’kanë më as shtet”, shkruhet në njërën prej pankartave të protestuesve.
Në një tjetër mesazh përmendet ish-ministrja Belinda Balluku dhe zhvillimet e fundit në SHISH, ndërsa protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Nga Belinda te SHISH-i, krejt ekipi në pranga! Jep dorëheqjen Edi Rama, nuk të shpëton dot as banda”, thuhet në pankartën tjetër.
Protesta vijon me të njëjtin aksion të përditshëm kundër qeverisë, ndërsa zhvillimet e fundit në institucionet e drejtësisë dhe sigurisë janë bërë pjesë e mesazheve të protestuesve.
















