Familjet e katër ish-krerëve të UÇK-së, ajo e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, kanë refuzuar ftesën e presidentes në detyrë të Kosovës, Albulena Haxhiu, për një takim me dyer të mbyllura në presidencë.
Përgjigjen në emër të katër familjeve e ka dhënë Altin Krasniqi, djali i ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi nëpërmjet një statusi të publikuar në rrjete sociale. Refuzimi i ftesës është shtyrë nga qëllimi për të shmangur keqkuptime të mundshme për ndikim apo ndërhyrje nga ana e familjarëve për vendimin që Kuvendi i Kosovës do të marrë për tribunalin e Hagës.
“E vlerësojmë ftesën e Albulena Haxhiut, por, për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm lidhur me ndikimin dhe ndërhyrjet familjare në vendimmarrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, presim që të takohemi pas vendimit të Kuvendit”, thuhet në postimin e tij.
Familjarët janë të gatshëm të takohen pas një vendimi të Kuvendit ndërsa thonë se presin një sjellje të përgjegjshme shtetërore. Ndër të tjera, në shkrim, Altin Krasniqi i është drejtuar dhe qytetarëve duke i shprehur mirënjohjen në emër të 4 çlirimtarëve për të vijuar me thirrjet për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar.
“Ne, familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, bëjmë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar në këto momente. Shprehim mirënjohjen tonë të thellë për popullin e Kosovës për mbështetjen, solidaritetin dhe qëndrimin e tij të vazhdueshëm ndaj procesit gjyqësor në Hagë. Presim sjellje të përgjegjshme shtetërore nga të zgjedhurit e popullit, në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjit, në raport me Dhomat e Specializuara”, thuhet në postim postim.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë arrestuar në nëntor 2020 duke qëndruar në paraburgim në Hagë. Pas 6 vitesh, Gjykata Speciale i dënoi ata për krime lufte dhe i shpalli të pafajshëm për krimet kundër njerëzimit. Sipas gjykatës së Hagës, krimet nga 4 ish-drejtuesit kryesorë të UÇK-së, janë kryer përgjatë viteve 1998-1999 në luftën kundër ish-Jugosllavisë.
Tribunali i Hagës u krijua në vitin 2015 dhe u votua nga 82 deputetë të Kuvendit të Kosovës për të hetuar krimet e luftës, dyshime të iniciuara nga një raport i Dick Marty që akuzonte krerët e UÇK-së për shitje organesh e gjenocid.














