Italia ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të energjisë bërthamore, pasi Senati ka miratuar përfundimisht ligjin që i hap rrugë krijimit të një kuadri të ri ligjor për ndërtimin dhe funksionimin e centraleve nukleare.
Ligji i delegon qeverisë italiane kompetencën për të hartuar, brenda një viti, një kuadër të plotë ligjor që mbulon të gjithë ciklin e jetës së energjisë bërthamore. Objektivi i përcaktuar është përdorimi i energjisë nukleare si një prej mjeteve për dekarbonizimin e ekonomisë, rritjen e sigurisë energjetike dhe forcimin e pavarësisë së vendit në këtë sektor.
Miratimi i ligjit i hap rrugën rikthimit të një baze ligjore për energjinë bërthamore në Itali dhe krijon mundësinë për ndërtimin dhe funksionimin e centraleve të reja. Italia i mbylli centralet e saj bërthamore pas referendumit të vitit 1987, kur qytetarët votuan kundër përdorimit të energjisë nukleare.
Sipas ligjit të ri, qeveria do të ketë një afat deri në një vit për të miratuar dekretet që do të përcaktojnë rregullat dhe procedurat për sektorin.
Kuadri i ri do të përfshijë rregullat për ndërtimin dhe funksionimin e centraleve bërthamore, prodhimin e hidrogjenit përmes energjisë nukleare, menaxhimin e karburantit të përdorur dhe mbetjeve radioaktive, si dhe masat e sigurisë dhe mbrojtjes.
Në ligj parashikohet gjithashtu krijimi dhe funksionimi i organeve përgjegjëse për kontrollin e sektorit, si dhe përcaktimi i zonave ku mund të ndërtohen impiantet bërthamore.
Një tjetër element i rëndësishëm është hartimi i një programi kombëtar për energjinë bërthamore të qëndrueshme dhe fuzionin bërthamor. Programi do të përfshijë rregullat për impiantet, menaxhimin e mbetjeve, sigurinë dhe përzgjedhjen e vendndodhjeve, duke parashikuar edhe përfshirjen e autoriteteve lokale.
Ministri italian i Mjedisit dhe Sigurisë Energjetike, Gilberto Pichetto Fratin, i cili ka firmosur propozimin, ka deklaruar më herët se synon që dekretet zbatuese të miratohen deri në fund të këtij viti.
Me këtë hap, qeveria italiane synon të rikthejë energjinë bërthamore në strategjinë energjetike të vendit, pas gati katër dekadash nga mbyllja e centraleve ekzistuese.


