Shtetet e Bashkuara kanë ftuar presidentin rus Vladimir Putin të marrë pjesë në samitin e G20, që do të zhvillohet në Miami në muajin dhjetor. Lajmin e bëri të ditur sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjatë një deklarate për mediat në Nju Jork.
“E kemi ftuar presidentin Putin në G20. Mendojmë se kjo është një mundësi që ai të angazhohet jo vetëm me presidentin, por edhe me liderë të tjerë botërorë. Shpresojmë që ai ta pranojë ftesën”, tha Rubio.
Ftesa për Putinin vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës mbeten të tensionuara, ndërsa administrata amerikane vijon përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Më herët, Rubio u takua me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ministria e Jashtme ruse publikoi fotografi nga takimi në rrjetin social X, por nuk dha menjëherë detaje mbi përmbajtjen e bisedimeve.
Rubio dhe Lavrov ishin takuar për herë të fundit në korrik, në margjinat e një takimi të ministrave të Jashtëm të ASEAN-it në Manila. Takimi i fundit në Nju Jork u zhvillua ndërsa Uashingtoni dhe Moska vazhdojnë diskutimet mbi luftën në Ukrainë.
Bisedimet e korrikut zgjatën rreth 35 minuta dhe nuk sollën përparim të raportuar lidhur me çështjen kryesore të mosmarrëveshjeve mes dy vendeve, luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar të ndërmjetësojnë për t’i dhënë fund konfliktit, i cili tashmë ka hyrë në vitin e pestë, por deri tani nuk është arritur një marrëveshje për një zgjidhje të qëndrueshme.
Rusia vijon të jetë anëtare e G20-s, forumit që përfshin 19 shtete, Bashkimin Evropian dhe Bashkimin Afrikan.
Ndërkohë, Rusia u përjashtua nga G8-a në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Moska.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet gjithashtu t’i drejtohet më vonë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.


