Një helikopter ushtarak rus ka shkelur hapësirën ajrore të Polonisë, duke shkaktuar aktivizimin e menjëhershëm të forcave polake të mbrojtjes ajrore.
Sipas ushtrisë polake, bëhet fjalë për një helikopter të tipit Mi-8, i cili kaloi rreth 300 metra brenda hapësirës ajrore polake dhe qëndroi aty për 42 sekonda, përpara se të largohej.
Autoritetet polake bëjnë me dije se lëvizja e helikopterit u zbulua dhe u ndoq në kohë reale nga sistemet radarike të Forcave të Armatosura. Menjëherë pas konstatimit të shkeljes, avionët luftarakë u ngritën në ajër, ndërsa forcat tokësore dhe mjetet ushtarake u vendosën në gatishmëri.
Varshava deklaroi se mënyra se si ndodhi incidenti ngre dyshime se Rusia mund të jetë duke testuar gatishmërinë e sistemit polak të mbrojtjes ajrore.
Ngjarja vjen në një moment të tensionuar në krahun lindor të NATO-s, ndërsa Polonia ka rritur nivelin e vigjilencës për shkak të intensifikimit të sulmeve ruse ndaj Ukrainës.
Në të njëjtën kohë, Rusia ka vijuar sulmet ajrore ndaj territorit ukrainas. Në orët e para të mëngjesit, një valë e gjerë sulmesh me dronë goditi Kievin, ku u raportuan viktima, të plagosur, dëme në zona të banuara dhe zjarre në disa pjesë të kryeqytetit.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, bëri me dije se tetë persona mbetën të plagosur dhe një tjetër humbi jetën. Mbetjet e dronëve të rrëzuar ranë mes ndërtesave të banimit dhe në ambientet e një kompanie transporti në distriktin Solomianskyi, ku shpërtheu edhe një zjarr. Dy pika karburanti u goditën dhe u shkatërruan gjithashtu në zona të ndryshme të qytetit.
Sipas autoriteteve ukrainase, në sulmet ndaj disa rajoneve të vendit u përdorën gjithsej 161 dronë.
Sulmet prekën edhe portin e Odesës, ku një anije tregtare me flamur të Antigua dhe Barbudës u godit nga një sulm rus. Sipas autoriteteve ukrainase, komandanti i anijes, shtetas ukrainas, humbi jetën.
Ndërkohë, një qendër tregtare në Zaporizhzhia u përfshi nga flakët pas një tjetër sulmi rus të martën në mbrëmje. Dy persona mbetën të plagosur, ndërsa zjarri shkaktoi dëme të konsiderueshme në objekt.
Moska, nga ana tjetër, ka raportuar për sulme ukrainase ndaj territorit rus. Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se gjatë natës janë rrëzuar 514 dronë ukrainas. Autoritetet ruse kanë njoftuar gjithashtu se forcat e tyre kanë marrë kontrollin e dy vendbanimeve në rajonin e Kharkivit, Krasny Yar dhe Potikhonovo.
Incidenti në Poloni rikthen në vëmendje rrezikun e përhapjes së tensioneve përtej territorit ukrainas, veçanërisht në një kohë kur vendet e NATO-s në krahun lindor po mbajnë forcat e tyre në nivel të lartë gatishmërie.


