Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) zhvilloi sot mbledhjen e radhës, ku shqyrtoi kandidaturat për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.
Pas shqyrtimit të akteve dhe materialeve të përgatitura nga relatorët, KED vendosi të lejojë kandidimin e Alban Toros për vendin vakant të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti i Republikës më 31 tetor 2025.
Këshilli vendosi gjithashtu të lejojë kandidimin e Arta Vorpsit në dy procedura të veçanta, për vendet vakante të shpallura përkatësisht nga Kuvendi më 10 dhjetor 2025 dhe nga Presidenti më 31 tetor 2025.
Edhe Genci Gjonçaj u lejua të vijojë kandidimin për dy vendet vakante, të shpallura përkatësisht nga Presidenti dhe Kuvendi.
Ndërkohë, KED vendosi ndalimin e kandidimit të Brunilda Bares për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës.
Sipas KED-së, Bare ka të drejtën e ankimit ndaj këtij vendimi në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda pesë ditëve nga data e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
Me këto vendime, numri i kandidatëve që vijojnë garën për dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese shkon në pesë. Krahas Alban Toros, Arta Vorpsit dhe Genci Gjonçajt, në garë mbeten edhe Jordan Daci dhe Naureda Llagami.


