Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka dhënë vendimin për kontestimin e konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë, pas kërkesave të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Në vendimin e publikuar më 23 shtator 2026, Kushtetuesja ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit 30-ditor të përcaktuar në Kushtetutë. Megjithatë, Gjykata nuk ka përcaktuar pasoja juridike për deputetët lidhur me tejkalimin e këtij afati.
Një nga pasojat kryesore të përcaktuara nga Gjykata lidhet me zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Sipas vendimit, kalimi i afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit sjell fillimin e afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit, në rastin kur posti është vakant.
Kushtetuesja ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit ka nisur më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.
“Kalimi i afatit tridhjetë (30) ditor për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, kur posti i Presidentit është vakant dhe për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në të njëjtin vendim, Gjykata ka obliguar deputetët e Kuvendit që sa më parë të zgjedhin edhe nënkryetarin nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në përputhje me Kushtetutën.
Sa i përket Qeverisë, Kushtetuesja ka vlerësuar se zgjedhja e saj nuk është në kundërshtim me Kushtetutën. Konkretisht, vendimi nr. 11-V-007, i 13 shtatorit 2026, për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, është konsideruar në përputhje me nenin 95 të Kushtetutës, që përcakton procedurën e zgjedhjes së Qeverisë.
Kërkesa për masë të përkohshme është refuzuar, ndërsa aktgjykimi do t’u komunikohet palëve dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Vendimi hyn në fuqi ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese.


