
Ndërsa inauguronte fabrikën e parë të Serbisë që prodhon dronë izraelitë, presidenti Aleksandër Vuçiç publikoi më 17 shtator një postim në Instagram, ku vuri në dukje 100 vendet e punës që ajo kishte krijuar dhe “pajisjet më moderne” që do t’i furnizonte ushtrisë serbe dhe “ushtrive të disa vendeve të tjera”.
Media nuk ishte ftuar në ceremoni, ndërsa Vuçiçi e justifikoi këtë me ndjeshmërinë e projektit.
Në një postim të vetin në Instagram, ambasada izraelite tha se ambasadorja Avivit Bar-Ilan kishte marrë pjesë në ceremoni dhe kishte vlerësuar “bashkëpunimin midis industrisë vendase të mbrojtjes të Serbisë” dhe gjigantit izraelit të sektorit të mbrojtjes, Elbit Systems.
Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk përmendi përfshirjen e Zion Amir, një avokat i njohur izraelit që aktualisht përfaqëson kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu përpara Gjykatës Supreme të Izraelit.
Roli i avokatit, i zbuluar këtu për herë të parë, lidhet me kompaninë me bazë në Serbi SDS Technologies, ku ai është një nga drejtorët.
Ambientet e fabrikës, në lagjen Makis të Beogradit, mbajnë emrin e markës SDS, ashtu si edhe veshjet e punonjësve që i demonstronin dronët Vuçiçit gjatë ceremonisë së hapjes, në një video që presidenti publikoi në Instagram.
Në regjistrin e bizneseve të Serbisë, emri i kompanisë “SDS Technologies” u shfaq brenda pak orësh nga hapja e fabrikës, por jo si një kompani e re. Ajo ishte emri i ri i një kompanie që më parë quhej CUPA Enterprises. Po atë ditë, më 17 shtator, Amir u emërua zyrtarisht drejtor i SDS.
Vuçiç kishte thënë më parë se pronësia e sipërmarrjes së prodhimit të dronëve do të ndahej në mënyrë të barabartë midis Serbisë dhe Izraelit.
Megjithatë, struktura e pronësisë së SDS Technologies nuk e pasqyron këtë.
Në fakt, SDS-ja është në pronësi të kompanisë CUPA Limited, të regjistruar në Londër, e cila nga ana e saj është në shumicë në pronësi të shtetasit grek Athanasios Ramos. Më 21 shtator, katër ditë pas hapjes së fabrikës, CUPA Limited ndryshoi emrin në Blue Liberty International Ltd.
Elbit Systems, projektuesi i dronëve, tha për BIRN se “bashkëpunon me kompani vendase në disa vende evropiane si pjesë e proceseve të lokalizimit dhe përpjekjeve për t’i përshtatur ofertat e saj me nevojat e klientëve”. Megjithatë, ajo mohoi çdo lidhje me SDS-në ose me Amir-in. Kompania theksoi se nuk zotëron dhe nuk është partnere në asnjë objekt prodhimi dronësh në Serbi.
Avokati që përfaqëson Netanyahu-n përpara Gjykatës Supreme
Gazetarët e BIRN-it vizituan për herë të parë ambientet e fabrikës në Makis disa muaj më parë, për një artikull ekskluziv rreth planit të Serbisë për të hapur një fabrikë dronësh me Elbit-in.
E vendosur pranë disa bizneseve dhe magazinave të tjera, porta e fabrikës mbante emrin SDS Technologies. Në atë kohë, në regjistrin e bizneseve të Serbisë nuk ekzistonte asnjë kompani me këtë emër.
Sot, SDS Technologies ka tre drejtorë: shtetasen greke Maria Kardamaki, shtetasin amerikan me origjinë libaneze George Antoine Elghossain dhe Amir-in.
Që prej vitit të kaluar, Amir-i ka përfaqësuar Netanyahu-n dhe qeverinë e tij përpara Gjykatës Supreme në pesë peticione kundër vendimit të qeverisë për shkarkimin e Ronen Bar nga posti i drejtuesit të Shin Bet, shërbimit të sigurisë së brendshme të Izraelit.
Sipas raportimeve të Haaretz, Bar e kishte paralajmëruar Netanyahu-n për një sulm të mundshëm ndaj Izraelit gjatë një telefonate përpara se grupi militant palestinez Hamas të kryente sulmin më 7 tetor 2023, duke shkaktuar luftën shkatërruese të Izraelit në Gazë.
Prokurori i shtetit izraelit argumentoi se shkarkimi i Bar nga Netanyahu ishte i paligjshëm, duke pasur parasysh konfliktin e interesit që lindte nga fakti se Shin Bet po hetonte përfshirjen e dyshuar të bashkëpunëtorëve të Netanyahu-t në promovimin me pagesë të interesave të Katarit në Izrael, çështje e njohur si “Qatargate”.
Një nga këta bashkëpunëtorë është Srulik Einhorn, i cili gjithashtu ka këshilluar Vuçiçin.
Amir-i nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve lidhur me përfshirjen e tij në SDS Technologies dhe në fabrikën e re të dronëve në Serbi.
Faqja e internetit e SDS Technologies nuk përmban pothuajse asgjë më shumë se një faqe kryesore dhe nuk ofron informacion tjetër.
Domeni u regjistrua më 18 janar të këtij viti; informacioni për pronarin e domenit në regjistrin WHOIS – një platformë që mundëson aksesin në të dhënat bazë të regjistrimit – është i fshehur. Të dhënat historike tregojnë se i njëjti domen ishte regjistruar më parë dhe përdorej nga një kompani IT që ofronte shërbime uebi dhe softuerësh. Sipas pamjeve të arkivuara në Wayback Machine, kompania e kishte të regjistruar adresën në Chandigarh, në Indinë veriore.
BIRN i dërgoi pyetje në adresën zyrtare të emailit të SDS Technologies, por nuk mori përgjigje. As telefonatat në numrin e telefonit të publikuar në faqen e internetit nuk morën përgjigje.
Avioni i qeverisë serbe udhëtoi drejt Tel Avivit
Sipas të dhënave të ADS-B, një faqe interneti e specializuar për gjurmimin e fluturimeve, një avion i regjistruar me numrin YU-SRB 4C4A21 dhe i përdorur nga qeveria serbe fluturoi midis Beogradit dhe Tel Avivit ditën e hapjes së fabrikës, si dhe disa ditë më parë.
Rreth orës 8:00 të mëngjesit më 14 shtator, avioni u nis nga Beogradi dhe u ul në Tel Aviv rreth orës 11:42. Ai ishte kthyer në Beograd rreth orës 15:00. I njëjti avion përsëriti itinerarin më 17 shtator, ditën e hapjes së fabrikës: u nis nga Beogradi rreth orës 13:53, u ul në Tel Aviv rreth orës 17:25 dhe u kthye sërish në Beograd rreth orës 22:43.
Dronët e Elbit dhe drejtuesi i saj në ceremoninë e hapjes
BIRN/Haaretz raportuan më parë se Elbit Systems do të zotëronte 51 për qind të fabrikës së prodhimit të dronëve në Serbi, ndërsa 49 për qind do të kontrolloheshin nga tregtari shtetëror serb i armëve, Yugoimport SDPR.
Në të vërtetë, në fotografitë nga ceremonia e hapjes së fabrikës këtë muaj shfaqet edhe Ran Krill, nënkryetar ekzekutiv i Elbit për marketingun ndërkombëtar dhe zhvillimin e biznesit që prej vitit 2015.
Elbit u përmend gjithashtu si partner në projekt nga ambasada izraelite, ndërsa Vuçiçi përmendi tre lloje dronësh të Elbit që do të montoheshin në objektin e Beogradit dhe më pas do të prodhoheshin aty: dronin Lanius-X, dronin sulmues FireFox-X dhe dronin zbulues Magni-X.
Megjithatë, në deklaratën e saj për BIRN, Elbit shkroi: “Elbit nuk ka asnjë pjesë pronësie dhe nuk është partnere në asnjë objekt prodhimi të mjeteve ajrore pa pilot (UAV) në këtë vend (Serbi).”
Vuçiçi foli me entuziazëm për Lanius-X, duke thënë se ai “fjalë për fjalë ka sy dhe veshë, ndjek objektivin dhe pret objektivin në pritë”.
“Thjesht nuk mund të mbrohesh prej tij”, tha ai.
Në një artikull të Washington Post të vitit 2022, ekspertët e përshkruanin këtë dron autonom dhe të pajisur me inteligjencë artificiale si një “skenar makthi”. Emri Lanius vjen nga latinishtja dhe do të thotë “kasap”.
Vitin e kaluar, një raport i Francesca Albanese, Raportuese Speciale e OKB-së, e përmendi Elbit-in si një nga kompanitë që qëndrojnë pas dronëve, helikopterëve me gjashtë rotorë dhe kuadrokopterëve, të cilët, sipas saj, ishin shndërruar në “makineri vrasëse të pranishme kudo në qiejt e Gazës”.
Pavarësisht kësaj, bashkëpunimi ushtarak i Serbisë me Izraelin është rritur ndjeshëm gjatë tre viteve të fundit. Vlera e eksporteve të municioneve dhe armëve nga Serbia drejt Izraelit është rritur deri në 42 herë që nga viti 2023, duke arritur në 114 milionë euro deri në fund të vitit të kaluar, pavarësisht thirrjeve të shumta nga ekspertët e OKB-së për ndalimin e shitjes së pajisjeve ushtarake Izraelit.
Në prill të këtij viti, parlamenti serb miratoi një marrëveshje sigurie për të dhënat e klasifikuara midis Serbisë dhe Izraelit në sektorin e mbrojtjes. Sipas dokumentit të siguruar nga BIRN, urgjenca për zbatimin e saj lidhej me dorëzimin e pritshëm të pajisjeve ushtarake nga Izraeli për ushtrinë serbe.
Në fillim të vitit të kaluar, Elbit i shiti Serbisë sisteme të avancuara artilerie PULS dhe dronë luftarakë Hermes 900, me një vlerë totale prej 335 milionë dollarësh. Në gusht u nënshkrua një tjetër kontratë, me vlerë 1.6 miliardë dollarë, që përfshinte furnizimin me dronë, raketa me rreze të gjatë veprimi, sisteme të luftës elektronike dhe një sërë pajisjesh të tjera ushtarake për Serbinë.
BIRN ka raportuar më parë gjithashtu se kompania me bazë në Beograd, Edepro, e cila e përshkruan veten si “lider rajonal në zgjidhjet e sistemeve të shtytjes” për raketa, dronë dhe raketa të drejtuara, eksportoi produkte ushtarake te IMI Systems, një kompani në pronësi të Elbit që prej vitit 2018.





