
Masa e arrestit ndaj shefes së shërbimit sekret, Vlora Hyseni, e cila akuzohet nga SPAK për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të të dhënave sekrete ka shkaktuar debate politike të martën në Kuvend.
Deputetë të opozitës kërkuan që ngjarja të trajtohej si çështje e cënimit të sigurisë kombëtare dhe të bëhej rend dite e punës së Kuvendit, duke kërkuar që kryeministri Edi Rama të mbajë përgjegjësi direkte për rastin, por deputetët e mazhorancës tentuan ta relativizojnë situatën si një aksion rutinë të drejtësisë dhe shenjë të pavarësisë së saj.
Deputeti i PD-së, Klevis Balliu kërkoi në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes që të futej urgjent në diskutim, duke e konsideruar ngjarjen si “rënie e sistemit dhe të sigurisë së shtetit”.
Një rënie të shtetit në duart e krimit e konsideroi edhe deputeti Erald Kapri i Partisë Mundësia, i cili kërkoi që komisioni të ndërpriste rendin e zakonshëm të punës dhe kryeministri të vijë të mbajë përgjegjësinë për rënien e shtetit në duart e krimit.
“Nuk mundet të çedojë kreu i shërbimeve sekrete sepse mban shtetin në këmbë, sot ka nënshkruar kapitullimin,” tha Kapri, duke shtuar se kjo çështja është e paprecendentë dhe një nga ditët më të rënda në historinë e shtetformimit shqiptar.
Por kryetari socialist i komisionit, Blendi Çuçi kërkoi që ngjarja të trajtohej me qetësi duke pasur parasysh sipas tij prezumimin e pafajësisë, përgjegjësinë personale dhe të shihej ana pozitive që sipas tij ishte “pavarësia e sistemit të drejtësisë”.
“Duhet të presim verdiktin përfundimtar të drejtësisë. Asgjë nuk është e vërtetë derisa të vërtetohet nga gjykatat,” tha Çuçi duke pranuar që situata ishte shqetësuese dhe prekte çështje të sigurisë.
Sipas tij, ngjarja tregonte se institucionet ishin të pavarura. “Ajo që po ndodh sot me sistemin e drejtësisë po ndodh vetëm me vullnetin e mazhorancën,” shtoi ai.
Një qëndrim të ngjashëm mbajti dhe Fatmir Xhafaj, kryetar i komisiont për Nismat Qytetare, i cili u përball me kërkesën e deputetëve të PD-së që çështja të ishte në qendër të diskutimeve parlamentare të ditës.
“Institucionet arrestojnë individët, institucionet bëjnë detyrën e tyre,” tha Xhafaj, duke shtuar se “ajo që po shohim sot është diçka që ndodh rëndom në botën normale, në vendet demokratike, në vendet ku vepron shteti i së drejtës”.
Ndërsa për deputetin e PD-së, Ivi Kaso, Kuvendi duhej të trajtonte në mënyrë urgjente çështjen si cënim të sigurisë kombëtare dhe të kërkonte llogari nga kryeministri.
“Sot është vërtetuar dhe certifikuar përfundimisht rënia e shtetit shqiptar dhe kjo është një gjë që e them me dhimbje…,” tha Kaso, duke shtuar se “kemi të bëjmë me rënie totale të institucioneve, rënie të shtetit”.
Opozita e ka denoncuar më herët si të papërshtatshëm emërimin e Hysenit në krye të SHISH në vitin 2023, pasi ajo ishte shkarkuar nga institucione të njëjta sigurie në Kosovë.
Hyseni erdhi në krye të shërbimeve sekrete në fillim të vitit 2023 dhe kryeministri Rama publikisht shprehu besimin në përgatitjen dhe eksperiencën e saj dhe në “respektin që gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës”.
Sipas Ramës këto tipare përbënin “një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar”.
Hysenit iu besua detyra e rëndësishme pasi punoi dy vite në kabinetin e Ramës si këshilltare për sigurinë, pasi kryeministri Albin Kurti e shkarkoi atë nga detyra e zv/drejtores dhe drejtores së komanduar të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.





