
Rastet e regjistruara dhe vdekjet nga virusi i Nilit Perëndimor janë rritur ndjeshëm në Maqedoninë e Veriut këtë vit, duke tejkaluar së bashku shifrat e të gjitha viteve të mëparshme që nga zbulimi i parë i virusit të transmetuar nga mushkonjat në vend, në vitin 2011. Rritja e rasteve ka shtuar gjithashtu thirrjet për monitorim dhe kontroll më të mirë të sëmundjes.
Deri tani këtë vit, vendi me 1.8 milionë banorë ka regjistruar të paktën 60 raste të konfirmuara të marra në vend dhe të paktën tetë viktima, kryesisht në rajonin e Shkupit, që përfshin kryeqytetin dhe komunat përreth. Në të gjithë periudhën nga viti 2011 deri në fund të vitit 2025, në vend ishin regjistruar gjithsej 54 raste dhe pesë vdekje, sipas të dhënave më të fundit evropiane dhe kombëtare.
Shpërthimi është pjesë e një rritjeje më të gjerë të rasteve të virusit të Nilit Perëndimor në Evropën Jugore dhe Juglindore këtë verë, ku ndryshimet klimatike konsiderohen një faktor i rëndësishëm që po kontribuon në përhapjen e tij.
Situata ka nxitur thirrje në Maqedoninë e Veriut për masa më efektive për frenimin e përhapjes së virusit.
Për shembull, Ligji për Mbrojtjen e Popullsisë nga Sëmundjet Infektive nuk i detyron institucionet të mbajnë të dhëna për rastet e etheve të Nilit Perëndimor. Masat për kontrollin dhe asgjësimin e mushkonjave janë të vjetruara dhe joefektive, ndërsa jashtë kryeqytetit, Shkupit, ka mungesë të personelit shkencor të kualifikuar.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, pranoi se autoritetet duhet të përmirësojnë mënyrën e reagimit.
“Përgjegjësitë e institucioneve duhet të qartësohen, sepse kjo kërkon bashkëpunim ndërmjet disa sektorëve”, tha Klekovski për BIRN.
Sipas tij, i gjithë sistemi i ngritur për përballimin e shpërthimit – që përfshin Komisionin Shtetëror për Sëmundjet Infektive, Institutin e Shëndetit Publik, Qendrat e Shëndetit Publik, Ministrinë e Shëndetësisë, komunat e rajonit të Shkupit dhe Qytetin e Shkupit – ka rezultuar “inert”.
Një kërcënim i vështirë për t’u parashikuar

Shkencëtarët nuk kanë ende një shpjegim të qartë për rritjen kaq të madhe të rasteve në Maqedoninë e Veriut këtë vit, por ndryshimet klimatike janë padyshim një faktor rreziku.
“Temperaturat më të larta dhe ndryshimet në modelet e reshjeve mund të krijojnë kushte më të favorshme që mushkonjat të mbijetojnë dhe të shumohen, duke zgjatur kështu periudhën gjatë së cilës mund të transmetohen infeksionet”, tha Aleksandra Cvetkovska-Gjorgjievska, profesoreshë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Matematikës në Shkup.
Pikërisht për këtë arsye, mushkonja tigër, me origjinë nga rajonet e Azisë dhe Afrikës, është shfaqur vitet e fundit në Ballkan.
Dr. Nikolina Sokolovska, e vetmja entomologe mjekësore në Maqedoninë e Veriut – shkencëtare që studion insektet – vuri në dukje se ethet e Nilit Perëndimor nuk transmetohen nga mushkonja tigër, por nga mushkonja e zakonshme, e cila është vendase në këtë rajon.
Megjithatë, shfaqja e mushkonjës tigër mbetet një kërcënim potencial që duhet monitoruar. Sokolovska tha se në vitin 2017, kurthet për mushkonjat që kishte vendosur kapën nga dy ose tre ekzemplarë secila, ndërsa në vitin 2023 kapën plot 50-60 mushkonja tigër.
Mushkonja tigër mund të transmetojë dengën, Zikën dhe chikungunya-n, sëmundje tropikale që në disa raste mund të shkaktojnë sëmundje të rënda ose edhe vdekje.
Sa i përhapur mund të jetë në të vërtetë virusi i Nilit Perëndimor është e pamundur të dihet, pasi shumica e njerëzve të infektuar nuk shfaqin simptoma ose përjetojnë vetëm një formë të lehtë të sëmundjes.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik të Maqedonisë së Veriut, më pak se një për qind e infeksioneve përparojnë në një formë të rëndë neuroinvazive të sëmundjes, që kërkon trajtim spitalor.
Kjo do të thotë se numri i rasteve të regjistruara përfaqëson vetëm një pjesë të vogël të numrit real të infeksioneve.
Virusi i Nilit Perëndimor është përhapur gjerësisht në të gjithë Evropën Jugore këtë verë, ndërsa Italia dhe Greqia kanë regjistruar numrin më të madh të rasteve të infeksioneve.
Deri më 10 shtator, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, ECDC, kishte regjistruar 590 raste të transmetimit lokal te njerëzit në Itali, 319 në Greqi, 77 në Rumani, 37 në Serbi, 10 në Kroaci, një në Shqipëri dhe një në Kosovë. Shifra e Maqedonisë së Veriut, me më shumë se 60 raste të konfirmuara, bie në sy duke pasur parasysh popullsinë relativisht të vogël të vendit – afërsisht sa Kosova, për shembull, ose më pak se gjysma e popullsisë së Kroacisë.
Monitorim dhe koordinim më i mirë

Sokolovska ka vite që vendos kurthe për mushkonjat, një praktikë e njohur si monitorim entomologjik, e cila deri tani është kryer kryesisht në rajonin e Shkupit.
Sokolovska tha se tashmë kurthet duhet të vendosen në të gjithë vendin dhe se duhet të forcohet edhe monitorimi veterinar i shpendëve, pasi ata mund të shërbejnë si rezervuarë të sëmundjes.
“Nëse ka më shumë staf dhe kjo zbatohet në të gjithë vendin, do të mund të zbulojmë herët çdo virus tjetër, jo vetëm ethet e Nilit Perëndimor”, tha ajo për BIRN.
Nëse monitorimi përcakton me saktësi se ku ndodhen mushkonjat e infektuara, atëherë spërkatja mund të bëhet më e targetuar. Por Sokolovska kërkoi që të hiqet dorë nag spërkatja nga ajri, përveç rasteve të fatkeqësive natyrore ose zonave të paarritshme; sipas saj, ajo nuk është efektive kundër mushkonjave që fluturojnë ulët dhe është më e dëmshme për mjedisin. Ajo bëri thirrje për përdorimin e spërkatjes më të targetuar nga toka.
“Kur shkoj në konferenca, njerëzit habiten kur u them se ne ende përdorim spërkatjen nga ajri”, tha Sokolovska.
Klekovski, ministri i Shëndetësisë, u shpreh dakord, por paralajmëroi: “Nuk kemi kapacitet që kjo të ndodhë brenda natës.”
Ai tha se dronët mund të përdoren për të spërkatur zonat e paarritshme, ndërsa duhet të shtohet edhe përdorimi i larvicideve me bazë bakterin Bacillus, i cili shkatërron larvat e mushkonjave në ujëra pa dëmtuar faunën tjetër.
Klekovski foli gjithashtu për nevojën që të monitorohen rezultatet e spërkatjes dhe të rivlerësohen zonat ku ajo kryhet.
Për shembull, aktualisht spërkatja kryhet në pellgjet e Parkut Kryesor të Qytetit në Shkup, një hapësirë e madhe e gjelbër në qendër të kryeqytetit. Por, meqë aty uji vazhdon të qarkullojë dhe ka bretkosa e peshq që ushqehen me larvat e mushkonjave, rreziku në atë zonë mund të jetë në fakt më i ulët.
“Ne tani po spërkasim në Parkun e Qytetit sepse aty ka një përqendrim të madh njerëzish”, tha Klekovski. “Por, bazuar në përvojën e Greqisë, është më e rëndësishme të spërkaten vendet ku ka ujë dhe lëndë organike, por jo gjallesa të tjera, si për shembull gropat septike.”
Pretendime për neglizhencë

Numri më i madh i rasteve është regjistruar në Draçevë, një zonë me popullsi të dendur në periferi juglindore të Shkupit, ku u regjistrua edhe rasti i parë i virusit 15 vjet më parë.
Draçeva kufizohet me Komunën e Studeniçanit, një zonë kryesisht rurale menjëherë në juglindje të kryeqytetit. Klekovski tha se, me sa dinte ai, atje nuk ishte kryer asnjë spërkatje.
“Ka ankesa nga Qendrat e Shëndetit Publik se komunat, pavarësisht se e dinë saktësisht se çfarë duhet të bëjnë, nuk po e bëjnë”, tha ai. “Ky është rasti me Studeniçanin.”
Sipas Sokolovskës, zona të tilla kanë potencial të madh për t’u kthyer në vatra të përhapjes së virusit, pasi kanë kanale ujitëse, toka bujqësore dhe kafshë.
Përballimi i shpërthimeve të tilla kërkon koordinim ndërmjet institucioneve publike, diçka me të cilën Maqedonia e Veriut shpesh has vështirësi.
Masat variojnë nga ndërgjegjësimi i publikut për mirëmbajtjen e oborreve dhe pishinave, deri te veprimet e komunave, si trajtimi i duhur i mbetjeve dhe pastrimi i kanaleve.
Klekovski tha se ministria e tij po përgatit një raport mbi përvojën e këtij viti.
“Duhet të nxjerrim mësime nga kjo përvojë”, tha ai.





