
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë caktoi të hënën më 21 shtator masa ndëshkuese financiare ndaj avokatëve të cilët bojkotojnë seancat e caktuara për t’u zhvilluar në këtë gjykatë, për arsye të përcaktimeve në rregulloren e brendshme të re, që nuk lejon përdorimin e telefonave celularë.
Rregullorja, e miratuar më 17 korrik dhe që hyri në fuqi më 1 shtator, vendos një sërë rregullash të reja për sigurinë dhe sjelljen në ambientet e Gjykatës. Një pjesë e dispozitave prekin drejtpërdrejt aksesin dhe punën e avokatëve të të pandehurve, si dhe të gazetarëve që raportojnë mbi proceset gjyqësore.
Me argumentin se telefoni celular është një mjet pune, Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë vendosi bojkotin pa afat të të gjitha proceseve gjyqësore në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë. Përveç masave të sigurimit, të zëvendësimit të tyre, shuarjeve apo masave të dënimit që janë në procesin e amnistisë.
Prej asaj dite, seancat publike të të gjithë çështjeve penale të caktuara për t’u zhvilluar në GJKKO, nuk janë realizuar për shkak të bojkotit të avokatëve.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, GJKKO ju përgjigj me shkrim më datë 16 shtator avokatëve për kërkesën e tyre për rishikim të rregullores, duke vërejtur se nuk bie ndesh me Konventën CETS për mbrojtjen e profesionit të avokatit. Po ashtu, GJKKO konstatoi se kontestimi nuk e pezullon rregulloren, ndërsa shtoi se avokatët kanë gjithë mundësitë që të ndjekin rrugët ligjore për ta kundërshtuar.
Të hënën, në seancën e caktuar për t’u zhvilluar në orën 09:00, me të pandehur Emiljano Shullazi, Viktor Ymeri, Luftar Reçi dhe të tjerë të akuzuar për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit në vitin 2005, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, caktoi gjoba ndaj mbrojtësve të të pandehurve. Megjithëse avokatët gjendeshin në sallë, ata qëndruan në vendet e rezervuara për publikun, duke bërë me dije se vijojnë të jenë në bojkot. Gjykata caktoi masa ndëshkuese financiare për 15 avokatët e zgjedhur dhe të caktuar kryesisht në këtë çështje, nga 5 mijë lekë për secilin.
Përveç avokatëve, edhe gazetarët kundërshtojnë rregulloren e GJKKO. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, AGSH depozitoi një javë më parë në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e disa pikave të kësaj rregulloreje, duke i cilësuar ato si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
AGSH kërkon shfuqizimin e atyre pjesëve që vlerëson se cenojnë lirinë e medias, publicitetin e procesit gjyqësor, aksesin e publikut dhe autonominë editoriale, si dhe pezullimin e tyre deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.





