Dy persona kanë rënë në pranga në Berat, në kuadër të një operacioni të koduar “Perimetri”, pas dyshimeve se tentonin të shisnin doza kanabisi në afërsi të shkollave në Kuçovë dhe Moravë.
Gjatë operacionit policia po ashtu sekuestroi mbi katër kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa, një shumë parash dhe dy telefona celularë. Në Kuçovë u arrestua një 46-vjeçar, me inicialet A. G., pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën 3.95 kg kanabis, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza. Sipas policisë, droga dyshohet se mbahej me qëllim shitjen pranë shkollave.
Në Moravë u arrestua një 19-vjeçar, me inicialet G. Ç. Ai u kap në flagrancë dhe gjatë kontrollit iu gjetën në banesë dhe me vete sasi dhe doza kanabisi, si dhe një shumë parash që dyshohet se ishte përfituar nga shitja e drogës.
Njoftimi i policisë:
DVP Berat
Kontrolle të përditshme, si dhe punë intensive operative dhe hetimore, për objektivin madhor, parandalimin e depërtimit të fenomeneve kriminale në shkolla.
Finalizohen dy faza të operacionit policor të koduar “Perimetri”, për goditjen e 2 tentativave për të shitur doza Cannabisi, në afërsi të shkollave në Kuçovë dhe në Moravë.
Sekuestrohen mbi 4 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa, si dhe një shumë parash dhe 2 celularë.
Vihen në pranga 2 shtetasit që mbanin me vete dhe në banesa sasi dhe doza të kësaj lënde, me qëllim shitjen.
Si rezultat i shtimit të vigjilencës, pranisë policore, punës operative dhe veprimeve hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e çdo veprimtarie që cenon sigurinë e nxënësve dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kuçovë dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale dhe “Shqiponja”, pas hetimeve proaktive të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, kapën dhe vunë në pranga shtetasin A. G., 46 vjeç, të cilit, në banesë në Kuçovë, iu gjetën 3.95 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa (një pjesë, në doza), që dyshohet se posedohej me qëllim shitjen në afërsi të shkollave në Kuçovë;
Ndërkohë u vu në pranga shtetasi G. Ç., 19 vjeç, banues në fshatin Moravë, i cili u kap në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit dhe të DVP Berat, ku gjatë kontrollit iu gjetën me vete dhe në banesë sasi dhe doza lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, si dhe një shumë lekësh e dyshuar e përfituar nga shitja e tyre.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
