Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu ka reaguar në lidhje me deklaratat se qytetari Albi Sula nuk ka marrë mjekimin në Spitalin Onkologjik. Ishte zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli e cila në një deklaratë nga selia e PD-së hodhi akuza se Sula nuk ka marrë një përgjigje të qartë për burimin e problemit të tij shëndetësor dhe se pas një operacioni nkologjik, nuk ka marrë asistencë nga mjekët.
“Vetëm një ditë pas emërimit të ministres së re të Shëndetësisë, një nënë pensioniste u detyrua të shtrihej në tokë para Ministrisë së Shëndetësisë, për të kërkuar ndihmë për djalin e saj 30-vjeçar, Albi Sulën, i sëmurë dhe i papunë. Albi prej tre vitesh përballet me dhimbje të forta dhe, sipas dëshmisë së tij dhe familjes, pas vizitave, analizave dhe trajtimeve në Shqipëri ende nuk ka marrë një përgjigje të qartë për burimin e problemit të tij shëndetësor. Pasi i është nënshtruar një operacioni onkologjik pranë QSUNT, ky pacient deklaron se nuk ka marrë më asistencë nga bluzat e bardha.
Në këto kushte, ka kërkuar që shteti ta dërgojë në Turqi dhe pas refuzimit, vetë familja e ka dërguar për një ndihmë të specializuar në Turqi nga ku është kthyer me porosinë që të vijojë të kryejë kontrolle periodike për të mbajtur sëmundjen nën kontroll. Pasi Albi ka rikërkuar ndihmën e shtetit e konkretisht MSH për të mundësuar kontrollet periodike në Turqi për shkak të pamundësisë ekonomike për ti paguar vetë, edhe njëherë tjetër Ministria nuk bën asgjë…”, thuhet në deklaratën e Vangjelit.
Në lidhje me këto pretendime, Spahiu ka publikuar një foto ku shfaqet Sula së bashku me nënën e tij në zyrën e saj në Ministrinë e Shëndetësisë.
Në një postim në Facebook, ministrja bën me dije se e ka dëgjuar me vëmendje për problematikën e tij shëndetësore dhe rrugëtimin e vështirë të trajtimit. Sipas saj, Sula është trajtuar dhe ndjekur nga mjekët e Spitalit Onkologjik në QSUT dhe rasti i tij është referuar për ndjekje të mëtejshme në Turqi.
Ndërsa po ashtu, nënvizon në postimin e saj se një problem shëndetësor nuk duhet të kthehet në mjet për të ndërtuar një akuzë që nuk përputhet me faktet, ku në mes qytetari dhe halli i tij.
‘’Dyert e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale janë dhe do të mbeten të hapura. Për të dëgjuar, për të sqaruar dhe, aty ku është e mundur, për të gjetur zgjidhje’’, shkruan ajo.
Postimi i plotë:
Qytetari në foto është Albi Sula. Së bashku me nënën e tij, e prita dje personalisht në zyrën time.
E dëgjova me vëmendje për problematikën e tij shëndetësore dhe rrugëtimin e vështirë të trajtimit. Sqaruam hap pas hapi ndjekjen e rastit nga strukturat shëndetësore dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, si edhe hapat që do të vijojnë.
Përballë disa pretendimeve të bëra publikisht nga opozita, faktet janë të qarta:
• Qytetari për të cilin pretendohet se nuk është pritur, ka qenë dje në zyrën time, përballë meje dhe nënës së tij.
• Ai është trajtuar dhe ndjekur nga mjekët e Spitalit Onkologjik në QSUT, sipas nevojave dhe protokolleve mjekësore.
• Në zbatim të procedurave administrative dhe kontratës me spitalin përkatës, rasti i tij është referuar për ndjekje të mëtejshme në Turqi.
Të bësh politikë është legjitime. Të kritikosh është e drejtë. Por një problem shëndetësor nuk duhet të kthehet në mjet për të ndërtuar një akuzë që nuk përputhet me faktet.
Për mua, përpara çdo debati politik është qytetari dhe halli i tij.
Dyert e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale janë dhe do të mbeten të hapura. Për të dëgjuar, për të sqaruar dhe, aty ku është e mundur, për të gjetur zgjidhje.
Sepse #PraniBesnike nuk është slogan. Është përgjegjësi ndaj qytetarit.
