Të ulesh në bordin e Universitetit të Shkodrës bëhet më e thjeshtë pasi që nga dita e hënë u mor vendimi për të hequr nga dokumentet prezantimin e dëshmisë së Penalitetit, raporton newsbomb.al.
Faktin “ulëritës” të ndryshimeve në këtë Universitet e jep deputetja e pavarur Marjana Koçeku e cila insinuon se ndryshimi i rregullave që ka mbi 10 vjet që është njëlloj, është bërë pikërisht për të ulur në këtë bord ndonjë individ që më parë ka qenë I dënuar apo hetuar për vepra penale dhe nuk merr dot një dëshmi penaliteti.
Senati akademik I Universitetit të Shkodrës e hoqi nga kriteret pikën “d” që garanton pastërtinë ligjore të kandidaturave për anëtarë të Bordit të këtij universiteti.
“Për me u ba sportelist në bashki, të kërkojnë dëshminë e penalitetit. Kurse me u ulë në Bordin e Universitetit të Shkodrës. Prej ditës së Hanë, me 21 shtator, ajo dëshmi penaliteti nuk duhet ma.
Sipas qëndrimit të rektores, dr. Blerta Dragusha, fakti që nji kandidat mund të ketë qenë i ndjekun penalisht, i dënuem apo i përfshimë në vepra penale, nuk përban ma aspak pengesë për kandidimin dhe zgjedhjen.
Nji rregull që ka ndejtë dhjetë vjet nuk hiqet rastësisht, nji të hane në mëngjes, pa media në sallë. Kjo asht nji çështje që prek drejtpërdrejt standardin moral dhe institucional të universitetit”, shkruan Marjana Koçeku.
Për deputeten, shqetësuese është edhe heshtja e Ministrisë së Arsimit. Sipas urdhrit të vitit 2025, vetë Ministria përcakton kritere që lidhen me gjendjen gjyqësore dhe integritetin ligjor të kandidatëve.
“Atëherë mbi çfarë baze hiqet ky kriter për Universitetin e Shkodrës dhe pse nuk ka asnji reagim institucional? Nëse për Universitetin e Shkodrës, që mban e emnin e madh “Luigj Gurakuqi”, qenka ba ky përjashtim, atëherë pyetja nuk asht pse e hoqën. Pyetja asht: për kë e hoqën?”, shkruan Koçeku.
