Një ditë pasi 36-vjeçari Gerald Sefa i dha fund jetës duke u hedhur nga kati i pestë i një pallati në zonën e Alliasit në Tiranë, policia ka arrestuar babain e ish-bashkëjetueses së të riut.
Mësohet se në pranga ka rënë Sajmir Demiri, babai i ish-bashkëjetueses së tij, i cili akuzohet për shkaktimin e vetëvrasjes. Mediat raportojnë se Demiri, ka debatuar ashpër me Sefën, në lidhje me ndarjen e këtij të fundit me vajzën e tij, me të cilin bashkëjetonte.
Kjo është një nga pistat që policia e Tiranës po heton në lidhje me shkaqet që e çuan të riun drejt vetëflijimit. Dyshohet se babai i ish-bashkëjetueses i bënte presion të vazhdueshëm 36-vjeçarit.
Ndërsa po ashtu raportohet se policia ka hetuar edhe pistën e vrasjes, pasi në banesën ku jetonte i riu, u gjet një thikë me njolla gjaku, e cila ngriti dyshime për një tjetër ngjarje kriminale.
Por ekspertiza e kryer, zbuloi se në thikë ishin gjurmët e gishtave të riut. Dyshohet se Gerald Sefa para se të kryente aktin e vetëflijimit, ka goditur veten me thikë dhe ka prerë damarët, ndërsa më pas është hedhur nga kati i gjashtë i pallatit ku jetonte. Ndërsa edhe kamerat e sigurisë, sipas raportimeve mediatike, shfaqin 36-vjeçarin duke hyrë i vetëm në pallatin ku edhe i dha fund jetës së tij.
Sa i përket banesës ku jetonte viktima, ajo rezulton në pronësi të një familjari të Sefës dhe ky i fundit jetonte në të. Në vijim pritet që të dalin detaje të plota në lidhje me këtë rast.
