Dy ditë pas mbërritjes së saj në Shqipëri, ku u shpall në kërkim nga SPAK pasi akuzohej për përkrahje të biznesmenit kontrovers Ergys Agasi, i cili prej kohësh ka qenë në kërkim nga drejtësia shqiptare për skandalin me AKSHI-n, shefja e SHISH, Vlora Hyseni mësohet se do të dalë para GJKKO.
Mësohet se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ditën e nesërme, në orën 09:00 do të marrë në pyetje personat nën hetim Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmani, ndërsa seanca gjyqësore për Vlora Hysenin do të mbahet po nesër në orën, 12:00.
Siç dhe kemi raportuar këto dy ditë, për Vlora Hysenin janë caktuar masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.
Nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal bëjnë fjalë për Përkrahje të autorit të krimit, në këtë rast Ergys Agasi, në mënyrë që ai t'i shpëtojë kërkimit, kapjes ose arrestimit, si dhe Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete, dhënia e informacioneve të konsideruara sekret ndaj personave të tretë, sërish në këtë rast Ergys Agasi.
Vlora Hyseni akuzohet për këto dy vepra penale dhe ndaj saj janë caktuar dy masat e sigurisë të mësipërme.
Një ditë para se Hyseni të njihet me masën e sigurisë, kanë dalë në pah një sërë bisedash të ndara mes saj dhe biznesmenit kontrovers Ergys Agasi, të cilët rezulton se kanë pasur një komunikim periodik, të përditshëm dhe të tejzgjatur në kohë, përcjell newsbomb.al.
Kështu rezulton në dosjen hetimore të Prokurorisë së Posaçme, në ngarkim të ish-kryespiunes së Shqipërisë, e cila tashmë është e akuzuar për dy vepra penale, si e dyshuar për zbulim të sekretit hetimor dhe pengimin e arrestimit të Ergys Agasit.
"Ashtu sikurse rezulton nga bisedat, shtetasi Ergys Agasi jo vetëm që nuk është në rolin e “bashkëpunëtorit”, por në të kundërt është ai që merr dhe dikton informacionin e marrë", sqaron SPAK, pasi më herët Vlora Hyseni kishte pretenduar para hetuesve se me Gasin kishte vetëm marrëdhënie zyrtare, si bashkëpunëtor i SHISH.
Mirëpo, nga këqyrja e aparatit celular të biznesmenit, hetuesit kanë arritur të zbulojnë se Vlora Hyseni dhe Ergys Agasi kishin komunikim të përditshëm, edhe pasi ai u shpall në kërkim. Madje, jo vetëm telefonata të thjeshta, voice call, por edhe telefonata me video, video call, dhe dërgim e marrje fotosh e videosh.
"Në total, për periudhën 28.06.2026 deri më 26.08.2026, data e arrestimit të shtetasit Ergys Agasi, nëpërmjet aplikacionit “Signal”, janë regjistruar në total thirrje voice and video call: thirrje hyrëse Vlora-Ergys, incoming call, 70 thirrje; thirrje dalëse Ergys-Vlora, outgoing call, 17; të humbura, missed call, 28; thirrje pa përgjigje, unansëered calls, Ergys nuk i përgjigjet Vlorës, 25; thirrje dhe thirrje të refuzuara, declined calls.
Në lidhje me komunikimet ndërmjet Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit, të ruajtura në funksionin BIOME të aparatit telefonik të shtetasit Ergys Agasi janë të ruajtura gjithsej 508 forma komunikimi, calls, voice, video calls, messages, chat messages, ndërmjet këtyre dy shtetasve për periudhën e sipër-cituar", thotë SPAK.
Po ashtu, mbrëmjen e djeshme newsbomb.al solli në vëmendje një profil të detajuar të Vlora Hysenit, shefes së njërës prej institucioneve më të rëndësishme në vend, e cila përfundoi nën lupën e drejtësië për përkrahje të Ergys Agasit dhe shpërndarjes së sekreteve shtetëore.


