Policia e Tiranës ka arrestuar autorin, i cili nën kërcënimin e një thike, i vodhi me dhunë çantën me sende personale, një shtetaseje gjermane. Policia ka arritur që në një kohë rekord, të identifikojë dhe arrestojë autorin e dyshuar si dhe ka gjetur sendet e vjedhura.
Ndërsa turistja e huaj ka falenderuar efektivët që u morën me rastin e saj, teksa iu ka çuar edhe një “dhuratë” simbolike.
“Ju keni bërë një punë të shkëlqyer dhe në kohë të shpejtë”, iu drejtohet efektivja policisë, teksa më pas i falenderon për gjetjen e sendeve të saj.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Reaction”.
I vodhi me dhunë çantën me sende personale, një shtetaseje gjermane, duke e kanosur me thikë, te Liqeni Artificial, identifikohet dhe arrestohet në kohë rekord 41-vjeçari.
Një ditë pasi iu vodh me dhunë çanta me sende personale, nën kërcënimin e thikës, te Liqeni Artificial, shtetasja gjermane T. K., 50 vjeçe, është paraqitur pranë ambienteve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, për të falënderuar efektivët që u angazhuan për zbardhjen e rastit.
Duke vlerësuar reagimin e shpejtë të Policisë, identifikimin dhe arrestimin në kohë rekord të autorit të dyshuar, si dhe gjetjen e sendeve të saj personale, shtetasja gjermane ka shprehur mirënjohjen e saj për punën dhe profesionalizmin e efektivëve të Policisë së Komisariatit Nr. 1.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, menjëherë pas marrjes së njoftimit për vjedhjen me dhunë, organizuan operacionin policor të koduar “Reaction”. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit J. S., 41 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas dyshohet se i ka vjedhur me dhunë çantën me sende personale shtetases gjermane, duke e kanosur me thikë.
Sendet e vjedhura janë gjetur dhe i janë dorëzuar 50-vjeçares.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
