A mund të jesh IMUN ndaj vetmisë?

23 Shtator 2026, 20:17Kulturë TEMA

nga Eduart Bardhi

Heterotopia dhe intertekstualiteti në romanin “Imun” të Tobias Xhaxhiut.

A mund të jesh IMUN ndaj vetmisë?
 

Koncepti i heterotopisë, i formuluar nga Michel Foucault, ka qenë prej vitesh një pikë qendrore debati si në fushën filozofike, ashtu edhe në atë arkitektonike. Megjithatë, në përpjekjet për të eksploruar kuptimin e tij të mirëfilltë dhe për ta justifikuar në kontekstin shoqëror, ai ka mbetur një koncept kompleks dhe shpeshherë i paqartë në interpretim. Foucault e përdori termin “heterotopi” për të shënjuar hapësirat reale dhe efektive brenda shoqërisë, në kundërvënie me hapësirat utopike. Nga pikëpamja etimologjike, fjala rrjedh nga bashkimi i termave “hetero”, që nënkupton të ndryshëm ose tjetër, dhe “topos”, që do të thotë vend, duke u përkthyer kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë si “hapësira të tjera”.[1]

     Romani do të karakterizohet nga mbizotërimi i rrëfimit dhe nga një dinamikë e vazhdueshme e ngjarjeve, ndërsa dialogu do të jetë relativisht i kufizuar, por i ndërtuar me një shkallë të lartë rafinimi dhe elegance stilistike. Pikërisht përmes kësaj strukture narrative, romani synon të përcjellë rezonancat e hapësirave të tjera, duke ndërthurur dy botë paralele dhe duke i vendosur ato në zhvendosje të ndryshme kronotopike. Ngjarjet zhvillohen në dy hapësira kryesore gjeografike: në jugun e Shqipërisë dhe në Milano të Italisë. Sipas autorit, ideja për romanin Imun lidhet drejtpërdrejt me përvojën e tij gjatë periudhës së pandemisë COVID-19 dhe me kohën e kaluar në Itali. Megjithatë, virusi nuk konceptohet thjesht si temë qendrore e veprës, por si një katalizator i zhvillimit të ngjarjeve dhe i konflikteve që strukturojnë narrativën. Në qendër të romanit qëndron Davidi, mjek dhe kërkues shkencor në Institutin Kërkimor Sant'Angelo në Milano. Ai arrin të zhvillojë një kurë kundër virusit, por zbulimi i tij shkencor nuk sjell domosdoshmërisht shpëtimin e shumëpritur. Paralelisht me linjën narrative të Davidit, Greta ndodhet në Rivierën Shqiptare, në një hapësirë të izoluar, e cila shndërrohet në një nga qendrat e rëndësishme të zhvillimit të ngjarjeve dhe të përplasjes së dimensioneve të ndryshme të rrëfimit. Titulli Imun përbën një nga çelësat kryesorë të interpretimit të romanit. Në kuptimin biologjik, të qenët imun nënkupton mbrojtjen e organizmit ndaj një sëmundjeje. Megjithatë, Xhaxhiu e zgjeron semantikën e këtij koncepti përtej dimensionit fizik dhe biologjik, duke e shndërruar atë në një metaforë të gjendjes njerëzore. Në këtë kontekst, lind pyetja nëse njeriu mund të jetë imun ndaj dhimbjes, dashurisë, kujtimeve, fajit apo frikës? Pikërisht këtu titulli fiton një dimension të theksuar ironik: njeriu mund të kërkojë dhe të zhvillojë një vaksinë kundër një virusi, por nuk mund të krijojë, në mënyrë të ngjashme, një “vaksinë” kundër përvojave dhe emocioneve të veta. Koncepti i imunitetit shkon përtej dimensionit mjekësor dhe shndërrohet në një kategori simbolike e ekzistenciale. Romani vendos kështu në marrëdhënie shkencën dhe emocionin, trupin dhe psikikën, mbrojtjen biologjike dhe cenueshmërinë njerëzore. Kjo dyzimësi i jep titullit funksion jo vetëm tematik, por edhe strukturues dhe interpretues, duke e orientuar leximin drejt marrëdhënies ndërmjet katastrofës kolektive dhe përvojës individuale.

      Sipas Julia Kristevës, çdo tekst përbëhet nga gjurmët e teksteve të tjera, duke i përthithur dhe transformuar ato; rrjedhimisht, asnjë tekst nuk ekziston i izoluar, por ndërtohet në marrëdhënie me tekste të tjera.[2] Në këtë roman do të evidentohen edhe prani të ndryshme të intertekstit, të cilat pasurojnë strukturën kuptimore dhe simbolike të veprës. Ndër referencat më të dallueshme mund të përmendet prania e Komedisë Hyjnore të Dantes, veçanërisht përmes motivit të Ferrit dhe figurës së Virgjilit si udhërrëfyes. Po kështu, në roman vërehen edhe gjurmë të intertekstit biblik. Mbetet e hapur çështja nëse këto referenca janë të konceptuara në mënyrë të vetëdijshme dhe të qëllimshme nga autori apo nëse burojnë natyrshëm nga universi i tij krijues. Megjithatë, mënyra se si përshkruhet natyra ofron një mundësi të veçantë interpretimi në raport me simbolikën biblike të krijimit. Për Xhaxhiun, natyra duket se merr herë pas here trajtat e një bote në fillesat e saj, duke të kujtuar ditët e para të krijimit: të zymta, të pakujdesshme dhe njëkohësisht egërsisht të buta. Një tjetër shtresë intertekstuale që shfaqet në roman lidhet me mitologjinë klasike. Edhe pse kjo prani nuk zhvillohet në mënyrë të gjerë dhe mbetet më tepër e tërthortë, autori i referohet mitit të Trojës, duke e integruar atë në strukturën narrative të veprës.

     Sipas Bataille-t erotizmi është një ndër tiparet e jetës së brendshme të njeriut tipar, i cili na bën të dëshirojmë ose jo një objekt (dashurie gjithmonë), kjo varet prej shijes dhe përbërjes kimike të subjektit. Pikërisht kjo gjë, shpesh, e pashpjegueshme që na tërheq tek një objekt i caktuar, mund të bëhet vetvetiu i padëshirueshëm, mund t’i largohet vëmendjes së subjektit.[3] Pra, nëse flasim me leksikun e Kunderës, ai objekt nuk ka arritur të bëhet pjesë e kujtesës tonë erotike, dhe si i tillë është i destinuar të zbehet. Kujtojmë këtu Adamin dhe Evën, që kur fituan arsyen filluan të mbulonin pjesët intime, duke ia kufizuar vetes lirinë totale në të cilën kishin qenë në Eden. Erotizmi nuk mund të kuptohet pa ndalimin, çka kuptohet logjikisht se as pa shkjeljen. Ndalimi është imponim që vjen prej racionalitetit, kurse shkeljen e realizon dëshira e pakontrollueshme nga arsyeja, trumfi i erotikes. Bosht i rëndësishëm i romanit ndërtohet mbi dy çiftet kryesore: Davidin dhe Gretën, nga njëra anë, dhe Mateon e Laurën, nga ana tjetër. Të dyja marrëdhëniet zhvillohen në mënyrë paradoksale dhe vendosen në një raport të ndërlikuar paraleliteti, i cili përshkon strukturën narrative të veprës. Në qendër të këtij konfigurimi marrëdhëniesh vendoset motivi i tradhtisë, i cili shfaqet jo vetëm si një akt konkret, por edhe si shprehje e distancimit emocional dhe e krizës së marrëdhënieve bashkëshortore. Davidi ndodhet gjithnjë e më larg Gretës, pavarësisht afërsisë së tyre formale. Greta, nga ana e saj, duket se e percepton këtë largim përmes një lloj intuitë të brendshme; ajo e ndien se diçka nuk shkon me Davidin, edhe pse nuk arrin ta artikulojë plotësisht arsyen e këtij ndryshimi. Kështu, intuita femërore shndërrohet në një element të rëndësishëm të tensionit psikologjik të marrëdhënies, duke paralajmëruar një të vërtetë që ende nuk është bërë e dukshme. Në çiftin tjetër, marrëdhënia midis Mateos dhe Laurës paraqitet përmes një forme tjetër të distancimit. Laura nuk e ndien veten tërësisht të përmbushur në raportin me Mateon dhe kjo mungesë e përmbushjes emocionale dhe intime e çon drejt një afërsie me Davidin. Në këtë mënyrë, akti i tradhtisë merr një konfigurim veçanërisht kompleks, pasi Laura përfshihet në një marrëdhënie me Davidin, i cili njëkohësisht është mik dhe koleg i bashkëshortit të saj, Mateos.

Vetmia,[4] si përvojë ekzistenciale e qenies njerëzore, shpeshherë përjetohet si një gjendje e brendshme e lidhur me faktorë individualë ose si një reagim ndaj ndikimeve të jashtme sociale e kulturore. Vetmia ekzistenciale përkufizohet shpesh si një gjendje e paracaktuar e pakomunikueshmërisë, pasi ajo mbështetet në një strukturë themelore ontologjike ose transcendentale, një mungesë e thellë dhe e brendshme në ekzistencën njerëzore, e cila mund të jetë e prirur të fshihet edhe nga vetë vetëdija e individit. Në këtë kuptim, disa teoricienë argumentojnë se qenia njerëzore është në mënyrë përfundimtare, të domosdoshme dhe të përhershme e vetmuar, në atë mënyrë që çdo përpjekje për t’i shpëtuar kësaj vetmie mund të përfundojë në vetë-alienim.[5] Rrënjët e këtij koncepti janë të ndërthurura me analizat ekzistenciale të Heidegger-it dhe Sartre-it, dhe ekzistojnë debate mbi mënyrën se si vetmia ekzistenciale lidhet me konceptimet fenomenologjike të intersubjektivitetit transcendental dhe “qenies-me-tjetrin”.[6] Vetmia përbën një nga temat themelore të romanit Imun. Ajo nuk paraqitet vetëm si pasojë e izolimit fizik të shkaktuar nga pandemia, por shndërrohet në një gjendje më të thellë ekzistenciale, e cila artikulohet në marrëdhënien e individit me veten, me tjetrin dhe me realitetin që e rrethon. Pandemia krijon kushtet e jashtme të izolimit, ndërsa romani e tejkalon këtë dimension konkret, duke e shndërruar izolimin në një problem të qenies dhe të vetëdijes njerëzore. Personazhet nuk janë të vetmuar vetëm për shkak se bota është mbyllur dhe marrëdhëniet shoqërore janë kufizuar. Vetmia e tyre shfaqet edhe brenda marrëdhënieve intime, aty ku prania fizike e tjetrit nuk garanton domosdoshmërisht afërsi emocionale apo komunikim të vërtetë. Kjo bëhet veçanërisht e dukshme në marrëdhënien David-Greta, ku distanca emocionale shfaqet pavarësisht lidhjes që ekziston ndërmjet tyre.

   Vetmia fizike përbën formën më të dukshme dhe më të drejtpërdrejtë të këtij motivi. Pandemia dhe masat e izolimit krijojnë distancë ndërmjet individit dhe shoqërisë, duke kufizuar lëvizjen, komunikimin dhe kontaktin njerëzor. Hapësirat e izoluara që shfaqen në roman bëhen, në këtë kuptim, jo vetëm mjedise të veprimit, por edhe struktura që materializojnë gjendjen e vetmisë.

   Vetmia psikologjike lidhet me pamundësinë e individit për ta komunikuar plotësisht botën e tij të brendshme. Ajo nuk kushtëzohet domosdoshmërisht nga mungesa fizike e tjetrit. Përkundrazi, individi mund të ndodhet pranë një personi tjetër dhe, megjithatë, të përjetojë një distancë të thellë emocionale. Në këtë aspekt, romani sugjeron se komunikimi fizik nuk është i mjaftueshëm për të kapërcyer izolimin e brendshëm.

   Vetmia ekzistenciale, në një plan më të thellë interpretues, nuk nënkupton thjesht gjendjen e të qenit vetëm. Ajo lidhet me përvojën e individit përballë pasigurisë, frikës, vdekshmërisë, mungesës së një kuptimi të sigurt, pamundësisë për ta kontrolluar realitetin dhe konfliktit me vetveten. Pandemia bëhet kështu një rrethanë që e ekspozon individin ndaj pyetjeve themelore mbi ekzistencën. Sa më shumë individi shkëputet nga bota e jashtme, aq më i drejtpërdrejtë bëhet përballimi me botën e tij të brendshme.

 

Përmes personazheve, marrëdhënieve dhe hapësirave të izoluara, romani evidenton vështirësinë e individit për t’u lidhur me tjetrin dhe, mbi të gjitha, për t’u përballur me vetveten. Vetmia në Imun lind nga një krizë kolektive, por përjetohet individualisht. Pandemia i vendos personazhet në një përvojë të përbashkët, ndërsa mënyra se si secili prej tyre e përjeton izolimin është thellësisht personale.



[1] Souvik Chowdhury. Foucault’s Spatial Context to Society. MA in History & Critical Thinking, fq.12.
[2] Kristeva, Julia. Séméiotikè: Recherches pour une sémanalyse. Paris: Éditions du Seuil, 1969.
[3] Georges Bataille, Erotizmi, IDK, Tiranë, 2006, f. 25
[4] Fjalori i shqipes së sotme. Bot. II i rip. (2002). Tiranë: Toena, f. 1449 ; Të qenët vetëm a i vetmuar, gjendja e atij që rri vetëm. Ndjenja e vetmisë. E mundoi (e lodhi) vetmia. Jetonte në vetmi. E la në vetmi. Vuante nga vetmia…
[5] Shaun Gallagher. A Critique of Existential Loneliness,  2023, fq. 1165.
[6] Jean-Paul Sartre. Being and Nothingness, trans. H. Barnes. Philosophical Library, New York, 1956.

Lini një Përgjigje