Rruga ballkanike po regjistron një rënie të fortë të emigracionit të parregullt drejt Bashkimit Europian. Në tetë muajt e parë të vitit 2026, hyrjet e parregullta përmes kësaj rruge ranë me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe me 42% në raport me vitin 2024.
Shifrat u bënë publike nga ministri italian i Brendshëm, Matteo Piantedosi, pas takimit trepalësh mes ministrave të Brendshëm të Italisë, Sllovenisë dhe Kroacisë në Pordenone. Sipas tij, e njëjta tendencë rënëse konfirmohet edhe nga të dhënat e regjistruara në kufirin mes Italisë dhe Sllovenisë.
Por rënia e flukseve nuk nënkupton fundin e kontrolleve. Italia mban prej vitit 2023 kontrolle të përkohshme në kufirin tokësor me Slloveninë. Roma thotë se objektivi është rikthimi sa më shpejt i lëvizjes së lirë, por e lidh këtë me krijimin e një kuadri më të fortë sigurie në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian.
Në qendër të strategjisë është Kroacia, e cila në këtë pjesë të kontinentit përbën kufirin e jashtëm të zonës Schengen. Piantedosi kërkoi forcimin e kontrolleve në kufijtë e jashtëm të Unionit dhe një rol më të madh të Frontex. Nga ana e saj, Kroacia kërkon që agjencia europiane të ketë një angazhim më të fortë në Bosnje-Hercegovinë dhe në operacionet e kthimit.
Italia, Sllovenia dhe Kroacia synojnë gjithashtu të forcojnë bashkëpunimin kundër trafikimit të migrantëve dhe rrjeteve kriminale. Mes masave të diskutuara janë rinisja e patrullimeve të përbashkëta dhe shkëmbimi më i madh i informacionit mes autoriteteve. Italia dhe Sllovenia kanë nisur diskutimet edhe për struktura të përbashkëta policore në kufi.
Paradoksi është se pikërisht rënia e fortë e migracionit të parregullt mund të hapë rrugën për heqjen e kontrolleve brenda Schengenit. Roma thotë se synimi përfundimtar është kthimi në normalitet në kufirin italo-slloven, por vetëm pasi të konsiderojë se siguria mund të garantohet përmes bashkëpunimit dhe kontrolleve më të forta në kufijtë e jashtëm të BE-së.
Lini një Përgjigje