“The Wanted”, arrestohen në Rusi dhe Itali dy të shumërkuar nga drejtësia shqiptare (EMRAT)

Janë arrestuar në Rusi dhe në Itali dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Policia shqiptare.
Bëhet me dije se është arrestuar në Rusi 51-vjeçari Salvadore Aliu, të cilit, në qershor 2026, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Ndërkohë, në Itali është arrestuar një tjetër person, të cilin, në vitin 2024, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka dënuar me 15 vjet burgim, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Autoritetet shqiptare po bashkëpunojnë me ato italiane dhe ruse për ekstradimin e dy të shumëkërkuarve në vendin tonë.
Njoftimi:
Arrestohen në Rusi dhe në Itali, 2 pjesëtarë të rrjeteve kriminale ndërkontinentale në fushat e trafikimit të lëndëve narkotike dhe lëvizjes ilegale të emigrantëve.
Si rezultat i bashkëpunimit informativ dhe operacional ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Moskës dhe Interpol Romës, gjatë këtyre 2 fazave të operacionit të koduar “The Wanted”, u arrestuan provizorisht, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasit e kërkuar ndërkombëtarisht:
-S. A., 51 vjeç, i kapur në Rusi, të cilit, në muajin qershor, 2026, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
-Alok Mittra, 47 vjeç, i kapur në Itali, të cilin, në vitin 2024, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka dënuar me 15 vjet burgim, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet rezultoi se 47-vjeçari ishte pjesë e një grupi kriminal, i cili për 6 muaj në vitet 2023-2024, organizoi kalimin e kundërligjshëm të kufirit, të rreth 253 shtetasve nga Bangladeshi, kundrejt përfitimeve financiare. Shtetasit e huaj silleshin në Shqipëri, nga Dubai, dhe nënshkruanin kontrata pune fiktive për t’u pajisur me leje qendrimi. Sapo pajiseshin me këtë dokument, ata niseshin drejt shteteve të BE-së. Gjatë itinerarit të kësaj veprimtarie kriminale, shtetasi Alok Mittra shoqëronte shtetasit e huaj dhe merrej me transportimin dhe akomodimin e tyre.
Në bashkëpunim me homologët në Moskë dhe në Romë, Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e të dy shtetasve, në Shqipëri.




