E mërkurë, 23 Shtator 2026 Zilia deri në 21:00 Në vijim ora 21:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kronikë

Sillte emigrant të paligjshëm në Shqipëri dhe u siguronte kontrata fiktive, arrestohet në Itali për llogari të SPAK 47 vjeçari nga Bangladeshi

Policia e Shtetit ka finalizuar faza të tjera të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, në bashkëpunim me autoritetet homologe në Itali

Në Itali është arrestuar Alok Mittra, 47 vjeç, i cili në vitin 2024 është dënuar nga Gjykata e Posaçme me 15 vite burg për ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufijve, falsifikim dokumentesh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Sipas hetimeve, Mittra ishte pjesë e një grupi kriminal që gjatë viteve 2023-2024 organizoi kalimin e paligjshëm të rreth 253 shtetasve nga Bangladeshi, kundrejt përfitimeve financiare.

Shtetasit e huaj silleshin në Shqipëri nga Dubai dhe pajiseshin me kontrata pune fiktive për të siguruar leje qëndrimi. Pas marrjes së dokumenteve, ata niseshin drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Reklamë

Sipas Policisë, gjatë këtij aktiviteti kriminal, Mittra shoqëronte shtetasit e huaj dhe merrej me transportimin dhe akomodimin e tyre.

Interpol Tirana vijon procedurat me autoritetet italiane për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Por kush ishin të pandehurit e tjerë?

Të pandehurit ishin: Endri Seiti, Luan Tafalla, Km Shaqiful Islam, Endrit Ismailaj, Alok Mittra, Arnol Shpata, Xhuljeta Çopa, Artur Mata, Antonio Specchio, Altin Hasani, Edmond Braha, Emmanuel Delphin Assako Ella, Arjel hoxha, Orkid Pijaneci, Arba Hysenllari, Ermal Hoxha, Artan Sulaj, Luan Sulaj, Shkelzen Matmuja (Bokciu), Faik Matmuja, Bukurosh Muja, Lulzim Lami, Tome Preka, Xhuljo Krasniqi, Edmond Baklli, Iglan Alliçi, Arben Domi.

Veprat për të cilat akuzohen:

“Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë me qëllim përfitimi, “Falsifikim i dokumentave”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë atë të grupit kriminal,“Grupi i strukturuar kriminal”, kryer në formën e krijimit, drejtimit, organizimit apo pjesëmarrjes, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal”, “Korrupsion  aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimi rezultoi e provuar ekzistenca e dy grupeve kriminale, të përbërë nga shtetas shqiptarë dhe të huaj, të cilët kishin organizuar kalimin e paligjshëm të kufirit shqiptar të mbi 650 shtetasve të huaj, kryesisht nga vendet e Azisë së Jugut (Bangladeshi) dhe Afrikës Qendrore (Kameruni), gjatë vitit 2023 deri në prill të vitit 2024, kundrejt përfitimit material.

Këto grupe kriminale besohet të kenë kryer të njëjtën veprimtari edhe në vitin 2022 edhe me shtetas të huaj nga vende te tjerë.

Shqipëria provohet të jetë përdorur si vend tranzit, territor përmes të cilit është lehtësuar hyrja e ligjshme e shtetasve të huaj nga kontinentet e Azisë dhe Afrikës në kontinentin e Evropës përmes transportit ajror dhe ka vijuar në mënyrë të paligjshme përmes transportit tokësor, drejt rrugës ballkanike. Kjo veprimtari bëhej duke shfrytëzuar aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë punësimin e shtetasve të huaj.

Veprimtaria kriminale e organizuar në nivel transnacional dhe konsiston në:

a) Rekrutimin e shtetasve të huaj në vendet e origjinës, kryesisht nga vendet e Azisë së Jugut dhe Afrikës Qendrore, përmes agjencive që operojnë në Emiratet e Bashkuara, Dubai apo edhe Kameruni. Personat e rekrutuar janë meshkuj të moshës mesatarisht nga 24 në 35 vjeç.

b) Ndërmjetësimin e punësimit të tyre nga drejtuesit e grupeve kriminale që operojnë në Shqipëri, ku përfshihej aplikimi për punësimin e tyre në shoqëri të ndryshme tregtare, të regjistruar në Shqipëri (kryesisht në Tiranë, Vlorë dhe Durrës). Në disa raste, ortakët apo administratorët e këtyre shoqërive ishin në dijeni të fiktivitetit të punësimit dhe konsiderohen edhe ata si pjesëmarrës në grupin kriminal;

c) Falsifikimin e kontratave të qirasë, kontratat e punës, ftesat për punësim, certifikatat profesionale apo ato të njohjes së gjuhëve të huaja, të domosdoshme për procedurat për t’u pajisur me vizën të kategorisë “D”, sipas ligjit nr. 108/2023 “Për të huajt” dhe VKM-së nr. 858, datë 858, datë 29.12.2021 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në RSh”.

d) Lehtësimin e kësaj veprimtarie kriminale nga specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme dhe asaj Vendore të Policisë Kufitare, të përfshirë në procedurat e pajisjes me vizë të këtyre shtetasve, në dijeni dhe pjesë e këtij grupi kriminal, përmes këshillimit.

d) Planifikimin e udhëtimit të këtyre shtetasve dhe pajisjen me bileta udhëtimi nga ’Vacation Planner Travel &Tourism”, me vendndodhje në Emiratet e Bashkuara Arabe, me ortak të pandehurin, Km Shaqiful Islam, udhëtimin e tyre nga aeroportet e Dubait dhe të Kamerunit, në drejtim të Rinasit dhe pritjen nga drejtuesit dhe pjesëtarët e grupeve kriminale.

e) Akomodimin e tyre prej disa orësh apo disa ditësh në vende të ndryshme si; restorante, hotele apo vende të tjerë, duke mos u paraqitur ose duke u paraqitur në punë vetëm për disa ditë tek shoqëritë tregtare që kanë kërkuar punësimin e tyre, në pritje të transportimit të tyre;

f) Transportimin në mënyrë të paligjshme nga grupe kriminale përtej kufijve shqiptarë në rrugën ballkanike, Shqipëri, Kosovë, Serbi dhe më tej me destinacion përfundimtar vendet e Bashkimit Europian.

Në lidhje me pagesat e kryera provohet se secili nga shtetasit e huaj nga Bangladeshi kanë paguar shuma parash, të cilat variojnë nga gjashtëmijë deri në tetëmijë euro. Këto shuma parash paguheshin prej tyre kryesisht në Dubai dhe më pas transferoheshin në Shqipëri tek drejtuesit e grupit nepërmjet sistemit “Hawala”.

Nga kontrollet e ushtruara në banesat e të pandehurve  janë sekuestruar 700.000 (shtatëqind mijë) Dollarë Amerikanë, 400.000 (katërqind mijë) Euro, 4 000 (katër mijë) Pound, 520.000 Lekë.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.