Erdogan: Evropa nuk mund të jetë e sigurt pa Turqinë

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e ka bërë të qartë në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se Turqia kërkon një rol më të madh në sigurinë evropiane.
“Është e pamundur që Evropa të jetë më e fortë apo më e sigurt nëse Turqia përjashtohet nga arkitektura e saj e sigurisë. Si një pjesë integrale e Evropës, Turqia luan një rol të rëndësishëm në garantimin e mirëqenies dhe sigurisë së kontinentit evropian”, tha Erdogan.
Erdogan iu referua edhe Samitit të NATO-s të zhvilluar në Ankara në korrik, duke e cilësuar atë si një tregues konkret të angazhimit të Turqisë ndaj sigurisë së përbashkët.
“Samiti i NATO-s në Ankara, të cilin e organizuam me sukses në korrik, ishte një dëshmi konkrete e angazhimit tonë ndaj sigurisë sonë të përbashkët”, shtoi Erdogan.
Në kushtet e debateve për të ardhmen e sigurisë së Evropës dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në mbrojtjen e kontinentit, Ankaraja po përpiqet të forcojë pozicionin e saj si një aktor i rëndësishëm në arkitekturën e sigurisë.
Turqia është një prej vendeve kryesore të NATO-s për sa i përket kapaciteteve ushtarake dhe ka mbajtur një rol të veçantë në marrëdhëniet mes Perëndimit, Ukrainës dhe Rusisë.
“Turqia është e gatshme të marrë përgjegjësi për sigurinë evropiane edhe në të ardhmen”, tha Erdogan.
Erdogan foli gjithashtu për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe presidentin Donald Trump, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi mes dy vendeve do të thellohet gjatë mandatit të dytë të presidentit amerikan.
Ndërkohë, pavarësisht rolit të saj strategjik, Turqia vijon të ketë një marrëdhënie të ndërlikuar me Bashkimin Evropian.
Ankaraja aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 1987, ndërsa negociatat kanë mbetur të bllokuara prej vitesh. Institucionet evropiane kanë ngritur vazhdimisht shqetësime lidhur me demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut në Turqi.
Megjithatë, Erdogan këmbëngul se roli i Turqisë në sigurinë e Evropës është i pazëvendësueshëm dhe se vendi është i gatshëm të marrë përgjegjësi më të mëdha në të ardhmen.




