E mërkurë, 23 Shtator 2026 Zilia deri në 21:00 Në vijim ora 21:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Lifestyle

Dokumentet e zbuluara në arkivat e Mynihut hedhin poshtë alibinë e Adolf Hitlerit për vdekjen e dyshimtë të mbesës së tij

Dokumente të zbuluara nga një studiues në arkivat e Mynihut ngrenë pikëpyetje mbi vendndodhjen e Adolf Hitlerit në momentin kur mbesa e tij, Geli Raubal, vdiq në rrethana të dyshimta brenda apartamentit të tij, në vitin 1931, shkruan revista gjermane Der Spiegel.

Që në atë kohë, mediat dhe kundërshtarët politikë të Partisë Nacional-Socialiste Gjermane (NSDAP) vunë në dyshim versionin zyrtar për vetëvrasjen e Geli Raubal, e cila prej vitesh jetonte në shtëpinë e xhaxhait të saj në Mynih. Madje, pati edhe dyshime se Hitleri mund të kishte lidhje me vdekjen e saj.

Shkrimtari Harald Sandner, i njohur për veprat e tij historike mbi diktatorin gjerman, ka zbuluar në arkivat kombëtare dhe ato të qytetit të Mynihut dy njoftime mortore dhe një certifikatë vdekjeje, të cilat hedhin “hije” mbi versionin zyrtar të ngjarjeve, sipas Der Spiegel.

Alibia e Hitlerit ishte se ai ishte larguar tashmë nga Mynihu pasditen e 18 shtatorit 1931. Mëngjesin e ditës pasuese, mbesa e tij u gjet e pajetë në dyshemenë e dhomës së saj nga administratori i ndërtesës, i cili shërbente gjithashtu si shërbëtor i liderit nazist.

Reklamë

Megjithatë, tre dokumentet e zbuluara tregojnë se trupi i Geli Raubal u gjet në orën 10:15 të 18 shtatorit, në një kohë kur xhaxhai i saj ndodhej ende në Mynih.

Sipas këtyre të dhënave, Hitleri mori pjesë në një demonstratë të partisë nga ora 10:30 deri në 12:30, ndërsa pasditen e asaj dite u largua drejt Nurembergut.

Në atë periudhë, lideri nazist ishte në rrugën drejt pushtetit, të cilin e mori në janar të vitit 1933, kur u emërua kancelar i Gjermanisë. Emërimi i tij përshpejtoi fundin e Republikës së Vajmarit dhe ngritjen e regjimit totalitar.

Sipas historianit Thomas Weber, Hitleri synonte të shfaqej si “mishërimi i të gjitha virtyteve dhe vlerave”, ndërsa dyshimet se mund të ishte përfshirë në vdekjen e mbesës së tij dëmtonin rëndë këtë imazh.

Kronologjia zyrtare e ngjarjeve bazohet në raportin e policisë të datës 28 shtator, pra dhjetë ditë pas vdekjes së Geli Raubal.

Një tjetër element që ka ngjallur dyshime për një përpjekje të mundshme për të fshehur rrethanat e vdekjes është fakti se nuk u krye asnjëherë autopsi.

Megjithatë, Sandner thekson se dokumentet e reja i forcojnë dyshimet ekzistuese, por nuk përbëjnë provë përfundimtare se çfarë ka ndodhur.

Gazeta Münchner Post, e afërt me socialdemokratët, shkruante në atë kohë se Hitleri dhe mbesa e tij kishin pasur një debat të ashpër, se trupi i saj kishte shenja dëmtimesh dhe se drejtues të NSDAP-së ishin mbledhur urgjentisht në selinë e partisë për të vendosur se si do t’ia paraqisnin publikut ngjarjen.

Edhe gazeta të tjera linin të kuptohej se Hitleri ose e kishte vrarë vetë mbesën e tij 23-vjeçare, ose kishte urdhëruar persona të tjerë ta vrisnin, pasi dëshironte ta kontrollonte atë.

Shkak për konfliktin mund të ketë qenë refuzimi i Hitlerit për ta lejuar Geli Raubal të largohej për në Vjenë, ku ajo shpresonte të vazhdonte karrierën e saj si këngëtare.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.