Nata e parë në “arrest shtëpie”, Vlora Hyseni u vetëdorëzua në kufi, përballet me dy akuza

Shefja e shkarkuar e inteligjencës shqiptare, Vlora Hyseni, ka kaluar natën e parë në arrest shtëpie.
Ajo u vetëdorëzua mbrëmjen e së martës, rreth orës 20:00, në pikën doganore të Morinës.
Menjëherë, asaj iu komunikua masa e sigurisë, “arrest në shtëpi”, ndërsa më pas u shoqërua për dorëzimin e gjeneraliteteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Ndaj ish-drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror, SPAK po kryen hetime për dy vepra penale: përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror, në kuadër të procedimit penal ndaj Ergys Agasit.
Dyshimet e Prokurorisë së Posaçme janë se Vlora Hyseni ka mbajtur kontakte me Agasin edhe pasi ky i fundit u shpall në kërkim për krim të organizuar.
Për këtë arsye, kryeministri Edi Rama e shkarkoi nga detyra, ndërsa dekreti u firmos edhe nga Presidenti Bajram Begaj.
Nga operacioni i 22 shtatorit, u caktua masa “arrest në burg” ndaj Fatjon Kallucit, shefit të Laboratorit Shkencor të Policisë, dhe Embo Sulejmanit, pronar i një biznesi në Durrës.
Ndërkaq, në cilësinë e personit që ka dijeni, u mor në pyetje Ilir Proda, ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Ndaj tij, BKH-ja zhvilloi edhe kontrolle në shtëpi dhe kontroll personal për të provuar nëse mes tij dhe Ergys Agasit ka patur komunikime.




