Di Maria për Messin: Do të jetë shumë e vështirë të shohim kombëtaren pa Leon

Angel Di Maria do të jetë i pranishëm në “Monumental” më 6 tetor, në një nga netët më emocionuese të futbollit argjentinas.
Ish-ylli i “Albiceleste”-s ka konfirmuar se do të jetë në stadium për të shoqëruar Lionel Messin në ndeshjen e tij të fundit me kombëtaren, përballë Beninit.
Di Maria e konfirmoi praninë pas fitores së Rosario Central ndaj Argentinos Juniors. Ai shpjegoi se skuadra e tij do të luajë më 5 tetor ndaj Banfield dhe për këtë arsye do të qëndrojë në Buenos Aires për të ndjekur nga afër lamtumirën e Messit.
“Do të jetë e vështirë të kesh një kombëtare pa Leon pas kaq shumë vitesh, pas gjithçkaje që ai i ka dhënë Argjentinës, argjentinasve dhe gjithë botës. Do ta shijojmë atë ditë të fundit”, u shpreh Di María.
Messi do të zbresë në fushë më 6 tetor ndaj Beninit në “Monumental”, në ndeshjen e vetme të kësaj periudhe të kombëtares në të cilën ai do të jetë pjesë e skuadrës. AFA ka organizuar një lamtumirë speciale për kapitenin, duke ftuar edhe kampionët e Botërorit 2022 që kanë ndarë fushën dhe dhomën e zhveshjes me të.
Kështu, pas shumë vitesh të mbushura me trofe dhe momente historike, Messi dhe Di Maria do të jenë sërish bashkë në një natë të veçantë për futbollin argjentinas. Këtë herë, megjithatë, “Fideo” do ta ndjekë ndeshjen nga tribuna, ndërsa miku dhe ish-shoku i tij i skuadrës do të luajë ndeshjen e fundit me fanellën e Argjentinës.




