Macron “thumbon” Trump për Gazën, presidenti francez thotë se u premtua paqja, por ajo mungon

Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u shfaqën qëndrime të ndryshme për konfliktet në Lindjen e Mesme dhe çështje të tjera ndërkombëtare.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kritikoi deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump për paqen në Gaza. Macron tha se, pavarësisht shpalljes së një marrëveshjeje paqeje, situata humanitare në Gaza nuk kishte ndryshuar.
“Një vit më parë, pikërisht këtu ishim një duzinë shtetesh që e njihnin Palestinën. Çfarë besueshmërie kemi nëse vazhdojmë të mbetemi inaktivë përballë Gazës? Disa mburren me një paqe të supozuar, por kjo paqe nuk i ka rihapur rrugët humanitare për asnjë sekondë. A duhet të rrimë duarkryq dhe të shikojmë këtë spektakël që na turpëron të gjithëve? Kurrë!”, tha Macron.
Shtëpia e Bardhë reagoi duke mbrojtur Trumpin. Zëdhënësja Anna Kelly deklaroi se presidenti amerikan i kishte dhënë fund luftës mes Izraelit dhe Hamasit, kishte siguruar lirimin e pengjeve dhe po udhëhiqte zbatimin e një plani paqeje për Gazën.
Ndërkohë, tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mbeten të larta. Ministri i Jashtëm iranian u takua në OKB me të dërguarin amerikan Steve Witkoff. Pas takimit nuk u raportua për ndonjë përparim të rëndësishëm. Irani kërkoi që SHBA-ja t’i japë fund asaj që e cilëson si akt agresioni, ndërsa Uashingtoni këmbëngul në zgjidhjen e konfliktit.
Në takimet e tij në Nju Jork, Trump bisedoi rreth 40 minuta edhe me kryeministrin britanik Andy Burnham. Një nga çështjet e diskutuara ishte marrëveshja për Ishujt Chagos, ku ndodhet një bazë ushtarake amerikano-britanike.
Një tjetër çështje e rëndësishme diplomatike është Tajvani. Presidenti kinez Xi Jinping pritet të diskutojë me Trumpin për shitjet amerikane të armëve ndaj Tajvanit, pasi Kina kërkon që këto shitje të ndalen.




