Shijak, arrestohet 46-vjeçari për zjarrvënie pranë banesave

Një 46-vjeçar është arrestuar në flagrancë në fshatin Rreth, Shijak, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij, duke shkaktuar përhapjen e flakëve në disa parcela pranë banesave.
Ngjarja u konstatua mesditën e djeshme, pas njoftimit për zjarrin. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak shkuan në vendngjarje dhe nisën hetimet për përcaktimin e shkakut.
Sipas policisë, nga hetimet rezultoi se shtetasi E. M., 46 vjeç, banues në fshatin Rreth, kishte ndezur zjarr në tokën e tij dhe flakët ishin përhapur në sipërfaqe të tjera toke.
Ai u arrestua për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Materialet iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.
Policia u bën apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal me përdorimin e zjarrit, veçanërisht pranë banesave dhe sipërfaqeve të mbjella, ndërsa rastet e zjarrvënies mund të denoncohen në numrin 112.




