Kreu i SHISH në “arrest shtëpie”, debate te “Ligjet”! Bylykbashi: Shtet i krimbur. Korreshi kërkon që Begaj të mbledhë Këshillin e Sigurisë

Masat e sigurisë “arrest shtëpie” dhe “pezullim nga detyra” të vendosura nga SPAK një ditë më parë ndaj kreut të SHISH, Vlora hyseni sollën përplasje mes opozitës dhe mazhorancës në Komisionin e Ligjeve.
Edhe pse në rend dite ishte prezantimi në parim i projektligjit “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë, deputetët e opozitës kërkuan që të diskutohet për aksionin e SPAK.
Deputeti demokrat, Oerd Bylylbashi tha se krimi i organizuar ka hyrë në çdo institucion.
Ndërsa deputeti Saimir Korreshi kërkoi që Presidenti i vendit, Bajram Begaj të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Oerd Bylykbashi: Rend dite sot, në çdo komision, në seance plenare, është skandali i djeshëm. Kjo reforma që i sillni shqiptarëve për t’ia nxirë jetën shqiptarëve, ka për sfond skandalin e djeshëm kreu i SHISH që arrestohet nga SPAK për lidhje me krimin e organizuar. Ky shtet është i krimbur nga koka te këmbët, ky kuvend diskuton për seksin e engjëjve. Flet për gjërat që do t’ia bëjnë më keq jetën. Ky Kuvend duhet të mblidhet sot. Si ka mundësi që krimi i organizuar të jetë penetruar te SHISH, AKSHI, kadastra, ministritë, sistemi i prokurimit,. Një shtet i rënë.
Ulsi Manja: Veprimtari normale e institucioneve në një shtet demokratik.
Saimir Korreshi: Mendova se kishte ardhur Bajromi për të mbledhur Këshillin e Sigurisë, se ka rënë shteti, kanë rënë siguresat. Ne vazhdojmë sikur këtu s’ka ndodhur asgjë, do bëjmë kooperativa të tipit lart, apo të mesëm, të tipt bujqësor. Ky kuvend a ka ndonjëherë prioritete, kur bie siguria kombëtare. Sot kush e ruan shtetin tonë. Bajrami dini gjë ku është.
Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha se SHISH dhe Policia e Shtetit janë dorëzuar në duart e krimit. Prandaj kërkoi që prioritet i Komisionit të Ligjeve të jetë ligji.
Tedi Blushi: Prioritetet në komisionin e ligjeve duhet të jenë respektimi i ligjit dhe kushtetutës. Ky komision është përgjegjës për t’i garantuar këto. Jemi në kushtet kur arkitektura e shtetit ka rënë, ku siguria kombëtare ka rënë, s’besoj se ka prioritet më të madh për një Komision Ligjesh sesa të mbajë një qëndrim lidhur me një çështje e cila cenon kushtetutën dhe sigurinë kombëtare të një vendi anëtar të NATO.
Sot Shqipëria është pa SHISH, se u faktua që ky shërbim kontrollohej nga krimi, mafia. Është pa polici shteti, se policia është dorëzuar në duart e krimit. Pa ministri mbrojtje, se është dorëzuar në duart e mafies. Edhe pa këshill të sigurimit kombëtar se anëtarët janë përfaqësues të mafies. Në këto kushte s’besoj të ketë prioritet më të madh për këtë komision se mbajtja e një qëndrimi për rikthimin e ligjshmërisë mbrojtjes së republikës se sa një projektligj që forcon axhendën shpopulluese.




