web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"Kuvendi të zgjedhë nënkryetarin e dytë"/ GJK: Qeveria e Kosovës është zgjedhur në mënyrë kushtetuese

23 Shtator 2026, 15:18, Kosova & Bota CNA

"Kuvendi të zgjedhë nënkryetarin e dytë"/ GJK:

Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se Kuvendi i Kosovës është konstituuar përtej afatit 30-ditor, por megjithatë shtoi se deputetët duhet të zgjedhin nënkryetarin e dytë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Në njoftim, Gjykata më e Lartë në vend po ashtu tha se qeveria e re e Kosovës është zgjedhur në përputhje me Kushtetutën.

Gjykata tha po ashtu se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.

Njoftimi i Kushtetueses vjen pasi Partia Demokratike e Kosovës, përmes dy kërkesave, kontestoi konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e ekzekutivit. Kushtetuesja po ashtu rrëzoi kërkesën e PDK-së për vendosjen e masës së përkohshme për punimet e Kuvendit.

Më 13 shtator, pa praninë e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joshumicë votuan për konstituimin e Kuvendit.

Më vonë gjatë ditës u votua edhe qeveria e re, e udhëhequr nga Albin Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje, fituesja e zgjedhjeve të qershorit, kishte argumentuar se afati 30-ditor kishte nisur më 6 gusht, kur nisi edhe seanca konstituive. Megjithatë, edhe ky afat u tejkalua, mes argumentimit nga LVV-ja se kërkohej një marrëveshje për çështjen e presidentit para se të lëvizej përpara me konstituimin e Kuvendit.

Si u konstituua Kuvendi?

Seanca nisi më 6 gusht, por u ndërpre shpejt, pasi kreu i LVV-së, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për bisedime për çështjen e presidentit. Kërkesë të ngjashme ai bëri edhe në vazhdimin tjetër të seancës që u mbajt pas 48-orësh.

Kuvendi nuk e vazhdoi këtë seancë deri më 9 shtator, kur deputetët u mblodhën dhe rizgjodhën në krye të organit ligjvënës Albulena Haxhiun. Por, në atë seancë për shkak të mospajtimeve të pesë nënkryetarët nuk u zgjodhën.

Në vazhdimin e seancës së 11 shtatorit, u zgjodh nënkryetari nga radhët e LVV-së Ardian Gola, por jo edhe Vlora Çitaku e PDK-së – fuqisë së dytë politike në vend.

SHIKONI EDHE:Kosova bëhet me Qeveri të re, Kurti zgjidhet kryeministër për herë të katërt
LVV-ja tha se nuk mund të jepte vota për Çitakun dhe Kujtim Shalën e LDK-së, që sipas saj, synojnë ta çojnë vendin në zgjedhje.

Më vonë, LVV-ja ndryshoi mendim dhe më 13 shtator votoi për Shalën në postin e nënkryetarit. Por, PDK-ja tha se kishte tërhequr përkohësisht kandidaturën për nënkryetar duke paralajmëruar dërgim të lëndës në Kushtetuese, gjë që ndodhi më pas.

Gjatë seancës së 13 shtatorit u zgjodhën edhe dy nënkryetarët nga radhët e komuniteteve joshumicë. /REL





Lajmet e fundit nga