Turisti gjerman thyen këmbën në Shtegun e Cezarit në Llogara, ekipet e emergjencës e nisin drejt spitalit

Një turist gjerman, rreth 50 vjeç, është dëmtuar në këmbë dhe ka pësuar frakturë gjatë eksplorimit të Shtegut të Cezarit në zonën e Llogarasë.
50-vjeçari ishte pjesë e një grupi turistësh gjermanë, të cilët prej disa ditësh ndodheshin në qytetin e Vlorës dhe kishin planifikuar të eksploronin shtigjet dhe zonat natyrore të Llogarasë.
Gjatë ecjes në Shtegun e Cezarit, turisti është dëmtuar në këmbë, duke pësuar frakturë. Menjëherë pas ngjarjes janë njoftuar ekipet e emergjencës, të cilat kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur transportimin e tij fillimisht drejt zonës së Llogarasë dhe më pas drejt qendrës shëndetësore dhe spitalit, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Aktualisht, turisti gjerman ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa pjesa tjetër e grupit vijon qëndrimin në qytetin e Vlorës.
/vizionplus.tv




