Një pasarelë ku modelet profesioniste nuk janë domosdoshmërisht personazhet më të famshëm? Vogue World e bëri pikërisht këtë në Milano. Eventi i zhvilluar më 22 shtator bashkoi modën me muzikën dhe entertainment-in, duke sjellë në skenë një listë të gjatë emrash të njohur, mes tyre Jennifer Lopez, Cardi B, Alicia Keys dhe Machine Gun Kelly. Ishte edicioni i pestë i Vogue World, eventi që nisi në New York në vitin 2022.
Jennifer Lopez nuk u mjaftua me një ecje klasike në pasarelë. Ajo e ktheu paraqitjen e saj në performancë, duke kërcyer ndërsa prezantonte look-un e saj. Cardi B gjithashtu u shfaq në runway, ndërsa mes pjesëmarrësve ishte edhe Levi McConaughey, djali i Matthew McConaughey. Ideja e eventit ishte që kufiri mes fashion show-t dhe spektaklit pop të bëhej pothuajse i padukshëm.

Vogue World është ndërtuar pikërisht mbi këtë formulë. Në vend të një prezantimi tradicional ku vëmendja qëndron vetëm te koleksioni, moda përzihet me performancën, muzikën dhe personazhet e kulturës pop. Rezultati është një event që mund të ndiqet edhe nga dikush që normalisht nuk do të shihte një sfilatë të plotë.
Ky format tregon edhe se si ka ndryshuar mënyra në të cilën industria krijon momente kulturore. Një fotografi e vetme e një personazhi të famshëm në pasarelë mund të qarkullojë në rrjetet sociale shumë më larg sesa vetë audienca tradicionale e modës. Celebrity dhe fashion nuk janë më dy industri që bashkëpunojnë herë pas here; në evente të tilla ato funksionojnë pothuajse si një e vetme.