Food & Drink Lifestyle Live From Tirana

“Pin territorin, jo vetëm verën…”/ Fation Tila, udhëtimi ekskluziv i një somelieri shqiptar në kantinat italiane…

Somelieri Fation Tila ndau në emisionin “Live from Tirana” një eksperiencë të veçantë, pjesëmarrjen e tij në Ferrari Camp, një event ekskluziv i organizuar nga prodhuesi i njohur italian i verërave me bulza, Ferrari Trento.

Sipas Tilës, kantina Ferrari, e themeluar nga Xhulio Ferrari në vitin 1902, prodhon rreth gjashtë milionë shishe në vit dhe është pjesë e zonës Trentodoc në veri të Italisë, e specializuar në metodën e rifermentimit në shishe, njësoj si shampanja franceze.

“Na thanë ne nuk e kemi problem të asociohemi me Ferrarin, sepse është një ekselencë tjetër italiane”, – kujton Tila, duke shpjeguar se kantina përdor emrin Ferrari Trento për t’u dalluar, por ndan të njëjtën filozofi ekselence me markën e famshme të makinave.

Gjatë ditëve që kaloi atje, somelieri shqiptar u ftua bashkë me rreth 35 pjesëmarrës nga e gjithë bota – influencerë, menaxherë dhe somelierë – për të vizituar vreshtat dhe kantinën, si dhe për të bërë një xhiro me helikopter mbi Valle dei Laghi, lugina e liqeneve në zonën e Trentos.

“Ishte një territor jo vetëm që ka vreshta, por një territor që ka njerëz që jetojnë me sakrificë, punë dhe dedikim”, – u shpreh Tila, duke theksuar se klima e ftohtë e maleve dhe afërsia me liqenet krijojnë aciditetin dhe kompleksitetin karakteristik të verave me bulza të kësaj zone.

Ai tregoi gjithashtu se familja Rureli e ka blerë kantinën para rreth 50 vitesh, pas vdekjes së themeluesit pa trashëgimtarë, duke vazhduar traditën dhe cilësinë e lartë të produktit.

“Njerëzit duhet të kuptojnë që ti nuk po pi vetëm verë, në rregull konsumon alkool, por ti pin edhe territorin, edhe produktin…”