Një specialist i IT-së në Shërbimin Informativ të Shtetit kishte hartuar në vitin 2023 një raport ku shprehte shqetësim për përfshirjen abuzive të drejtoreshës së atëhershme Vlora Hyseni në veprimtarinë e AKSH-it.
Kështu deklaroi sot kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili më tej shtoi se materiali nuk u përcoll në instancat më të larta, por u asgjësua në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e Shërbimit.
“Në vitin 2023, një specialist i IT në Shërbimin Informativ ka informuar, ka bërë raport dhe ka shprehur shqetësimin e thellë se drejtoresha po implikohej në mënyrë abuzive në veprimtarinë e AKSH-it.
Ky material nuk është përcjellë në instancat eprore, por është asgjësuar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e Shërbimit. Me tender sekret, kjo ka organizuar personat që do të siguronin rrjetin informatik të Shërbimit Informativ dhe këta persona janë persona të palicencuar”,- tha Berisha.
Gjithashtu, gjatë kohës që ishte në detyrë, sipas Berishës, Hyseni është përdorur nga kryeministri Edi Rama për të rrëzuar Qeverinë e Kosovës.Unë ndjej keqardhje të thellë që sot ky Shërbim, me një trashëgimi të pamohueshme të çmuar në bashkëpunim ndërkombëtar, por edhe në fushën e sigurisë, bëhet objekt i një turpërimi botëror për shkak të Edi Ramës, që merr një njeri jashtë të gjitha kritereve, të shkarkuar nga një qeveri, të cilën e ka përdorur për të rrëzuar qeverinë e Kosovës. Po ka implikime gjithashtu edhe në Maqedoni. Sepse lidhjet kjo i ka pasur të shumëllojshme”,– tha Berisha.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit ndaj Hysenit, ndaj së cilës SPAK ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, Berisha u bëri thirrje punonjësve të Shërbimit që të ruajnë integritetin institucional.
“Unë ndjej keqardhje të thellë që sot ky Shërbim, me një trashëgimi të pamohueshme të çmuar në bashkëpunim ndërkombëtar, por edhe në fushën e sigurisë, bëhet objekt i një turpërimi botëror për shkak të Edi Ramës”, deklaroi Berisha.













