AKTUALITET /

"Do sjell edhe 20 mln, futi në fuçi"/ Salvatore Aliu pastroi 30 mln euro në Shqipëri, ja si e mësonte vëllain të groposte paratë

Aliu dhe persona të tjerë të lidhur me të dyshohet se kanë përdorur platformën SKY për komunikimet ku identifikohej me disa emra, mes tyre “Dala”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktor” dhe “Albo Pelon”.

Shkruar nga Versus

"Do sjell edhe 20 mln, futi në fuçi"/ Salvatore Aliu

51-vjeçari Salvatore, alias Shpëtim Aliu, i arrestuar në Moskë, në kuadër të bashkëpunimit mes Drejtorisë shqiptare të Interpolit dhe homologëve rusë, dyshohet se është një prej figurave kryesore të një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës.

Sipas hetimeve të SPAK, Aliu dyshohet se ka pastruar në Shqipëri rreth 30 milionë euro të siguruara nga aktivitetet kriminale.


Hetimi që çoi në identifikimin e Salvatore Aliut ka nisur në maj të vitit 2020, pas një referimi nga Policia.

Sipas SPAK, gjatë viteve 2019–2021, rrjeti kriminal dyshohet se ka trafikuar rreth 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt Europës.

Aliu dhe persona të tjerë të lidhur me të dyshohet se kanë përdorur platformën SKY për komunikimet. Në aplikacion ai identifikohej me disa emra, mes tyre “Dala”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktor” dhe “Albo Pelon”.

“Kishte 6 milionë euro”, komunikimet me të vëllanë
Një prej episodeve të zbardhura nga komunikimet në SKY lidhet me gushtin e vitit 2020.

Sipas hetimeve, vëllai i tij, Isa Aliu, e njofton Salvatore Aliun se kishte në dispozicion 6 milionë euro. Dy javë më vonë, Salvatore i komunikon se priste të merrte edhe 20 milionë euro të tjera.

Në pritje të investimit të parave, sipas dosjes, Salvatore Aliu e udhëzon të vëllanë se si t’i fshihte ato. Ndër sugjerimet e bëra, sipas hetuesve, ishte edhe vendosja e parave në fuçi 50-litërshe dhe groposja e tyre.

491 pasuri nën sekuestro
Në kuadër të të njëjtit hetim, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro preventive ndaj 491 pasurive që dyshohet se janë në pronësi direkte ose të tërthortë të anëtarëve të grupit.

Nga këto, 266 janë pasuri të paluajtshme, përfshirë toka, hotele, apartamente dhe vila, të shpërndara në disa qytete të vendit, nga Tirana dhe Durrësi, në Elbasan, Lezhë e Shkodër, deri në zonat turistike të jugut, si Dhërmiu dhe Saranda.

Sipas të dhënave të SPAK, vlera totale e pasurive të sekuestruara llogaritet në të paktën 150 milionë euro.

Një tjetër element i hetimit lidhet me vëllain e Salvatore Aliut, Isa Aliu, i cili rezulton i lidhur me katër kompani që dyshohet se janë përdorur për investime në pasuri të paluajtshme, vila, apartamente, troje, ndërtime dhe struktura hotelerie.

Arrestimi i Salvatore Aliut në Moskë është realizuar në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar të Interpolit, ndërsa autoritetet shqiptare pritet të ndjekin procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë./Versus.al

Poll