AKTUALITET /

"Ajo më ka dhënë fjalën", e motra e Nertil Buzit rrëfen çfarë i tha vëllai para vrasjes së prindërve të së fejuarës në Roskovec

Buzi shfaq shqetësimin se familjarët e Rozalindës mund të ndikonin tek ajo dhe ta pengonin që të tërhiqte kallëzimin

Shkruar nga Versus

"Ajo më ka dhënë fjalën", e motra e Nertil Buzit

Kur kanë kaluar 2 muaj nga ngjarja e rëndë në Roskovec, ku Nertil Buzi qëlloi për vdekje mbi prindërit e së fejuarës dhe e rrëmbeu këtë të fundit për disa orë, zbardhen detaje nga biseda e tij me motrën, para se të kryente krimin.

Në bisedën telefonike të publikuar në media, Buzi flet për kallëzimin e bërë ndaj tij nga ish-e fejuara, Rozalinda Plaka. Ai shprehet se shpresonte që ajo ta tërhiqte kallëzimin dhe pretendon se ajo i kishte dhënë fjalën se do ta bënte këtë.

Buzi shfaq shqetësimin se familjarët e Rozalindës mund të ndikonin tek ajo dhe ta pengonin që të tërhiqte kallëzimin.

“Mos të të shpëtojë goja, më ka dhënë llafin ajo për të ma bërë”, dëgjohet të thotë Buzi në bisedën e publikuar nga RTSH.

Ai pretendon gjithashtu se familjarët mund të përpiqeshin ta detyronin ish-të fejuarën të vijonte me kallëzimin.

Në të njëjtën bisedë, Buzi mohon se kishte ushtruar dhunë ndaj Rozalinda Plakës.

“Pse ç’jam unë budalla, as e kam prekur ndonjëherë atë me dorë dhe s’kam pse e prek”, shprehet ai, duke pretenduar se konflikti mes dy familjeve ishte më i ndërlikuar.

Përplasja mes dy familjeve nuk lidhet vetëm me marrëdhënien e përfunduar mes Nertil Buzit dhe Rozalindës, por edhe me çështje financiare që dyshohet se lidhen me aktivitetin e Buzit në Angli.

 Buzi kishte sjellë para nga Anglia, të cilat dyshohet se nuk i kishte gjetur më në Shqipëri.

Një tjetër pretendim i ngritur në emision është se Buzi ishte marrë peng nga grupe kriminale në Angli dhe se në atë rast kishte ndërhyrë policia londineze.

Këto çështje financiare mund të kenë qenë pjesë e konfliktit mes dy familjeve, përtej marrëdhënies së mëparshme mes Buzit dhe Plakës.

Biseda e publikuar në media hedh dritë mbi gjendjen e konfliktit disa ditë para ngjarjes së 24 korrikut, ndërsa pretendimet dhe pistat e ngritura në emision mbeten për t’u vlerësuar në kuadër të hetimit zyrtar./Versus.al

Poll