
Një 32-vjeçare ka humbur jetën mbrëmjen e kësaj të hëne në Jalë të Himarës, pasi shfaqi probleme të rënda shëndetësore gjatë qëndrimit në një hotel.
Sipas informacioneve paraprake të Policisë, ngjarja është raportuar rreth orës 18:40. E reja, me inicialet I. R., ishte akomoduar në një strukturë hoteliere në Jalë dhe, pasi nuk është ndjerë mirë, ka kërkuar ndihmë në recepsion.
Stafi i hotelit ka reaguar menjëherë dhe e ka transportuar 32-vjeçaren drejt Qendrës Shëndetësore. Pavarësisht ndihmës mjekësore, ajo ka ndërruar jetë.
Policia po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa pritet ekspertiza mjekoligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Njoftimi i policisë
Jalë, Himarë/Informacion paraprak
Më datë 21.09.2026, rreth orës 18:40, është marrë njoftim se shtetasja I. R., 32 vjeçe, lindur në Londër, Mbretëria e Bashkuar, e cila ishte akomoduar në një hotel në Jalë, kishte shfaqur probleme shëndetësore dhe kishte kërkuar ndihmë te recepsioni i hotelit.
Stafi i hotelit e ka transportuar menjëherë drejt Qendrës Shëndetësore, ku, pavarësisht ndihmës së dhënë, 32-vjeçarja ka ndërruar jetë.
Paraprakisht dyshohet vdekje natyrale, pasi nga verifikimet paraprake të mjekëve rezultoi se kjo shtetase kishte pasur probleme shëndetësore, konkretisht probleme me frymëmarrjen dhe diabetin.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale dhe vijojnë verifikimet për përcaktimin e plotë të shkakut të vdekjes.

