Aktivistja Arvina Lleshi i ka zënë pritë jashtë zyrave të Kuvendit deputetes së Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, duke i kënduar vargjet e bëra nga protestuesit: “Zegjine, Zegjine, 3 milionë jemi ne! Ti nuk di të numërosh, shko në shkollë që të mësosh!”.
Gjatë përballjes së publikuar në mediat sociale, Çaushi e ka akuzuar Lleshin se po ul figurën e femrës dhe e ka pyetur se kush e paguan, ndërsa aktivistja i është përgjigjur se përfaqëson veten dhe se përgjegjësinë për uljen e figurës e mbajnë përfaqësuesit e shumicës parlamentare.
Zbardhja e plotë e debatit:
Arvina Lleshi: Përshëndetje Zegjine. E ke dëgjuar atë këngën: ‘Zegjine, Zegjine, 3 milionë jemi ne! Ti nuk di të numërosh, shko në shkollë që të mësosh!’.
Zegjine Çaushi: Po si nuk të vjen zor?!
Arvina Lleshi: Fare s’më vjen!
Zegjine Çaushi: Si s’ke turp?!
Arvina Lleshi: As nuk më vjen zor fare!
Zegjine Çaushi: Je femër moj! Një femër ndjek nga mbrapa një femër.
Arvina Lleshi: Nuk të ndoqa mbrapa, më dole para.
Zegjine Çaushi: Ke 20 sekonda që po pret.
Arvina Lleshi: Absolutisht jo!
Zegjine Çaushi: Turp të të vijë!
Arvina Lleshi: Turp të të vijë ty që je bashkuar me një qeveri kriminale. Turp të të vijë ty që nuk përfaqëson interesat e popullit.
Zegjine Çaushi: Moj, kë përfaqëson ti?!
Arvina Lleshi: Unë përfaqësoj vetëm veten time.
Zegjine Çaushi: Sa të paguajnë?
Arvina Lleshi: Askush nuk më paguan.
Zegjine Çaushi: Si s’të vjen zor moj?! Kap njerëzit rrugës.
Arvina Lleshi: Po të kap si deputete.
Zegjine Çaushi: Je femër dhe po ul figurën e një femre. Turp të të vijë!
Arvina Lleshi: Figurën e femrës e keni ulur ju që jeni përfaqësimi më i keq i një populli. Turp t’ju vijë!